Politike

Opozita kërkoi shfuqizimin e rregullores së re të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese kalon çështjen në seancë plenare

Sipas njoftimit, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi sot kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve.

7 Shkurt 2024, 18:02 Nga r.ll
Opozita kërkoi shfuqizimin e rregullores së re të Kuvendit,
gjykata kushtetuese

TIRANË- Gjykata ka vendosur shqyrtimin e kërkesës së opozitës për shfuqizimin e rregullores së re të Kuvendit e cila ndëshkon deputetët që ndezin tymuese me 2 muaj përjashtim nga punimet e Kuvendit. 

Sipas njoftimit, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi sot kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve.

NJOFTIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE:

Në datën 19 dhjetor 2023, një grup prej 45 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për shfuqizimin e vendimit nr. 126/2023, datë 14.12.2023 të Kuvendit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar””, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si edhe pezullimin e zbatimit të tij deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, me vendimin e datës 25.01.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, sot, në datën 07.02.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve.

Në lidhje me kërkesën për pezullim, me shumicën e votave, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi shqyrtimin e saj në seancë plenare.

Për shkak të natyrës së kësaj çështjeje dhe pretendimeve e kërkimeve të parashtruara, shqyrtimi i saj do të bëhet nga Gjykata me përparësi, duke reduktuar, për këtë arsye, edhe afatet e palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe të qëndrimeve të tyre.

Përmes padisë së firmosur nga 45 deputetët, opozita kërkon shfuqizimin e kësaj rregulloreje, si edhe pezullimin e saj deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga Kushtetuesja. Në padi thuhet se kjo rregullore e re, përmes së cilës deputetët rrezikojnë deri në 60 ditë përjashtim, shkel të drejtat e tyre, si edhe lë qytetarët pa përfaqësues në parlament. Madje sipas opozitës, ndryshimet janë bërë nga mazhoranca pa konsultim dhe i japin PS-së mundësi për ndëshkime arbitrare. 

gjykata kushtetuese opozita

Sondazh

Poll