Bota

Kovaçevski dorëzon dorëheqjen në Kuvend, pas tre ditësh votohet qeveria teknike në Maqedoni

Menjëherë pas kësaj do të njoftohet presidenti i këtij shteti Stevo Pendarovski, i cili të premten, pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit, do t’ia caktojë mandatin kryeministrit teknik.

25 Janar 2024, 12:38 Nga r.ll
Kovaçevski dorëzon dorëheqjen në Kuvend, pas tre
dimiter kovacevski

SHKUP- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka dorëzuar në Kuvend dorëheqjen e tij. Më vonë pritet edhe dorëheqja e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili të dielën pritet të marrë funksionin e kryeministrit teknik.

Menjëherë pas kësaj do të njoftohet presidenti i këtij shteti Stevo Pendarovski, i cili të premten, pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit, do t’ia caktojë mandatin kryeministrit teknik.

VMRO-DPMNE opozitare ka përcaktuar mbrëmë kandidatët për ministra dhe zv.ministra në qeverinë teknike. Seanca për votimin e qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut do të mbahet këtë diel. Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, të përcaktuara të mbahen në 8 maj.

“E gjithë qeveria do të japë dorëheqjen të enjten në orën 10:00. Do të kemi kohë të mjaftueshme që t’i kryejmë të gjitha formalitetet dhe të dielën 28 janar të votohet qeveria teknike”, deklaroi Kovaçevski.

Përpara votimit të saj ndërkohë, parlamenti do të votojë kryetarin e ri, Jovan Mitreski-n, i cili kryeson aktualisht grupin parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM).

Qeveria teknike, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet, formohet 100 ditë para çdo cikli zgjedhor, dhe ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Pjesë e kësaj qeverie, përveç partive që aktualisht përbëjnë ezekutivin, LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, duhet të jetë edhe opozita, konkretisht VMRO DPMNE-ja, të cilës i takojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, si dhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta, që do të thotë se ministrat nuk do të mund të marrin asnjë vendim pa nënshkrimin edhe të zëvendësministrave.

dimitër kovaçevski

Sondazh

Poll