Aktualitet

Kërkuan shfuqizimin e hartës së re gjyqësore, Kushtetuesja rrëzon Dhomën e Avokatisë dhe Komitetin e Helsinkit

Mësohet se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar predentimin e Dhomës së Avokatisë dhe Komitetit të Helsinkit për shfuqizimin e hartës së re gjyqësore.

27 Dhjetor 2023, 15:49 Nga I.A
Kërkuan shfuqizimin e hartës së re gjyqësore, Kushtetuesja
Gjykata Kushtetuese

TIRANË- Gjtkata Kushtetuese ka marrë vendimin sot në lidhje me kërkesën e Dhomës së Avokatisë dhe Komitetit të Helsinkit për hartën e re gjyqësore. Mësohet se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pretendimin e Dhomës së Avokatisë dhe Komitetit të Helsinkit për shfuqizimin e hartës së re gjyqësore.

Avokatët dërguan hartën e re në Kushtetuese me pretendimin se minimizon aksesin e qytetarëve në drejtësi, por në të njëjtën kohë ndikon në kostot financiare. Ndërkohë që në vendimin e Gjykatës Kushtetuese theksohet se nuk cenohet e drejta e aksesit në Gjykatë dhe barazia para ligjit.

"Gjykata, në këndvështrim të përmbajtjes së neneve 42 dhe 17 e Kushtetutës, vlerësoi se duke marrë në konsideratë balancën e pasojave, kjo e drejtë nuk u vërtetua se është cenuar në atë nivel që pasojat negative të jenë më të rënda se sa e drejta për eficence, efikasitet dhe cilësi në dhënien e shërbimit te drejtësisë. Pra, kjo ndërhyrje nuk cenon parimin e proporcionalitetit. Ne vlerësimin e Gjykatës, kur krahasohen këto pasoja, është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se individët kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese për akses në gjykatë, pavarësisht pasojave negative që u vijnë përmes riorganizimit gjyqësor, të cilat në thelb nuk e bëjnë të pamundur ushtrimin e kësaj të drejte," thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Harta e re do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative. Në fund të muajit dhjetor Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh për të përcaktuar edhe organikën e Gjykatës të vetme të Apelit që do të jetë në Tiranë. KLGJ ka vendosur që të mbajë të njëjtin numër gjyqtarësh apeli në organikë, 78 të tillë, duke i përqendruar të gjithë në kryeqytet. Sipas KLGJ, me këtë numër në përbërje llogaritet që secili prej tyre të shqyrtojë mesatarisht 217 dosje në rang vendi. Ndërkohë, 13 gjykatat e Shkallës së Parë do të mbyllen më 1 maj. Numërohen 32 mijë dosje të cilave nuk u ka nisur ende gjykimi.

harta e re gjyqesore

Sondazh

Poll