Sport

Vllaznia “tërmet 5-ballësh” Skënderbeut, Dinamo ‘hakmerret’ me Teutën...

Startojnë ndeshjet e javës së fundit të fazes së dytë: Vllaznia fitoi 5-0 ndaj Skënderbeut, ndërsa blutë e Dinamos fituan 2-1 në transfertë ndaj Teutës

22 Dhjetor 2023, 20:21 Nga DOSJA

Vllaznia “tërmet 5-ballësh” Skënderbeut, Dinamo

TIRANE - Java e 18-të e Abissnet Superiores dhe e mbylljes së fazes së dytë të kampionatit, startoi me dy takime. Vllaznia nuk ndalet më dhe në “Loro Boriçi” ndaj Skënderbeut koleksionoi triumfin e tretë radhazi të sezonit. Shkodranët i mposhtën bardhekuqtë me shifrat 5-0 teksa e vendosën ndeshjen në “shinat e duhura” që në pjesën e parë. Ildi Gruda zhbllokoi shifrat në minutën e 29-të, me sulmuesin që shfrytëzoi në maksimum një asist perfekt të Ardit Krymit dhe përballë portierit Alia nuk e pati të vështirë për të “përshëndetur” rrjetën.

Në fraksionin e dytë, në të 49-tën, Gruda dyfishoi shifrat. 24-vjeçari përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e korçarëve dhe pasi kaloi edhe portierin Alia, nuk e pati të vështirë për të shënuar me portën e boshatisur. Në vijim, Vllaznia e menaxhoi më së miri avantazhin, madje nuk e hoqi “këmbën nga gazi” dhe gjeti edhe tre herë të tjera rrugën e rrjetës.

Festës iu bashkuan edhe Bekim Balaj që realizoi në minutën e 75-të, Ildi Gruda që kompletoi tregolëshin personal në minutën e 79-të, ndërsa në fund llogarive iu shtua edhe autogoli i Frashërit. Pas këtij suksesi Vllaznia ngjitet në kuotën e 26 pikëve në vend të tretë. Nga ana tjetër, Skënderbeu mbetet me 22 pikë në vend të gjashtë.

Në ndeshjen tjetër në “Niko Dovana” të Durrësit, Dinamo u rikthye te fitorja pas dy humbjesh, teksa mposhti Teutën me rezultatin 2-1. Protagonist i kësaj ndeshje ishte një “ish”, si Lorenco Vila, i cili në të kaluarën është aktivizuar me durrsakët, por në këtë ndeshje i ndëshkoi me një dygolësh. 23-vjeçari zhbllokoi shifrat në minutën e 13-të falë një goditje të fortë e të saktë brenda zonës. Teuta u mundua të reagonte dhe në fakt barazoi me Klejdi Dacin në minutën e 35-të. Sulmuesi shfrytëzoi një pasim të Peposhit dhe nga fare pranë portës nuk mund të gabonte.

Megjithatë, Dinamo u hodh sërish në sulm dhe kaloi përsëri në avantazh me anë të Lorenco Vilës. Dy minuta para se të mbyllej pjesa e parë, Lorenco Vila lëvizi bukur në hyrje të zonës, dhe i ndihmuar nga një devijim, kaloi në avantazh 2-1 të tijtë. Në pjesën e dytë, vendasit provuan të barazonin, por nuk ia dolën dhe Dinamo merr tre pikë që e ngjisin skuadrën në vend të pestë me 22 pikë, Teuta mbetet e fundit me 16 pikë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll