Ekonomi

Shërbimet celulare klasike në rënie, të gjitha i “përthith” interneti

18 Dhjetor 2023, 12:42 Nga h.k
Shërbimet celulare klasike në rënie, të gjitha i
Foto ilustruese

TIRANË-As turizmi rekord nuk e ka frenuar rënien e përdorimit të shërbimeve tradicionale celulare, ndërkohë që përdoruesit tashmë po përdorin gjithnjë e më shumë internetin edhe për komunikimin e lëvizshëm.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për tremujorin e tretë të këtij viti volume i thirrjeve nga rrjetet celulare pësoi rënie me 12.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përdorimi mesatar mujor i thirrjeve zanore pësoi një rënie edhe më të madhe, në 124 minuta në muaj për çdo përdorues, 16.4% më pak krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022.

Trafiku i mesazheve të shkruara pësoi gjithashtu një rënie të fortë me 31.3%, ndërsa përdorimi mesatar mujor i SMS-ve zbriti në 10 për përdorues, 34.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përdorimi i shërbimeve celulare është gjithnjë e më i kanalizuar te interneti. Trafiku total i internetit nga rrjetet celulare për tremujorin e tretë u rrit me 17.1% me bazë vjetore. Ndërkohë që përdorimi mesatar i internetit arriti në pothuajse 8 gigabyte (GB) në muaj për përdorues, me një rritje prej 7.5% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Tendencat afatgjata të përdorimit të shërbimeve celulare tashmë dëshmojnë qartë një rënie të përdorimit të shërbimeve tradicionale të thirrjeve zanore dhe SMS dhe zëvendësimin e tyre me trafikun e të dhënave (internetin). Ekspertët e shpjegojnë rënien e përdorimit të thirrjeve dhe SMS-ve nga celulari me zhvendosjen e tyre drejt aplikacioneve OTT (over the top) të lidhura me internetin. Thirrjet dhe mesazhet po përcillen më shumë nëpërmjet aplikacioneve, si whatsapp.

Ndërkohë, numri i përdoruesve të shërbimeve celulare (që në fakt matet si numër i kartave SIM/numrave celularë aktivë) shënoi rritje në tremujorin e tretë të vitit, me 4.8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja e numrit të kartave aktive duket të jetë rezultat direkt i shifrave rekord të turizmit në Shqipëri, që në tremujorin e rretë vlerësohet se arriti edhe pikun vjetor.

Mbështetur në të dhënat e AKEP, Vodafone Albania ka vazhduar të fitojë terren edhe në tremujorin e tretë ndaj operatorit të vetëm të ngelur rival One Albania. Numri i abonentëve të Vodafone Albania arriti në 1.56 milionë, në rritje vjetore me 11.3%. Ndërkohë, One Albania raportoi rënie vjetore të numrit të abonentëve aktivë me 1.3%. Tashmë, Vodafone Albania është operatori më i madh celular edhe sipas numrit të përdoruesve, me afërsisht 51% të totalit.

Pas bashkimit mes ONE dhe Albtelecom në operatorin e ri, One Albania, që nga fillimi i këtij viti, numri i operatorëve celularë në Shqipëri është reduktuar në dy, duke e rikthyer tregun në të njëjtën strukturë si në vitin 2008./Monitor 

akep interneti celulari

Sondazh

Poll