Sport

Ikën Meho Kodro, serbi Savo Millosheviç në krye të pankinës së Bosnje-Hercegovinës...

Debutimi i Millosheviqit në stolin e kombëtares së Bosnje-Hercegovinës do të bëhet më 13 tetor kundër Lihtenshtajnit, për xhiron e shtatë të Grupit ‘J’

29 Shtator 2023, 18:29 Nga DOSJA
Ikën Meho Kodro, serbi Savo Millosheviç në krye të

BOSNJE - Ish-lojtari i kombëtares jugosllave, Savo Millosheviç, është trajneri i ri i Bosnje -Hercegovinës, për kualifikueset e “Euro 2024”, njoftoi këtë të premte federata e futbollit të këtij vendit ballkanik.

Ish-sulmuesi 50-vjeçar e filloi karrierën e tij futbollistike te Partizani, pas së cilës ai përfaqësoi Aston Villa, Zaragoza, Parma, Espanyol, Osasuna, Celta de Vigo dhe Rubin Kazan. Ai ishte një lojtar ndërkombëtar jugosllav me 102 ndeshje dhe ishte golashënuesi më i mirë në “Euro 2000”, me gjashtë gola.

Si trajner, Millosheviç drejtoi Partizanin me të cilin fitoi Kupën e Serbisë në vitin 2019 dhe Olimpian në Slloveni. Sipas deklaratës së publikuar në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës, Savo Millosheviç u zgjodh unanimisht nga drejtuersit i kësaj organizate.

Trajneri i mëparshëm i Bosnje-Hercegovinës, Meho Kodro, i cili në fillim të gushtit kishte zëvendësuar Faruk Hadzibegic në detyrë, ishte në krye të skuadrës vetëm për dy ndeshje, në të cilat shënoi një fitore ndaj Lihtenshtajnit (2-1) dhe një humbje kundër Islanda (1-0), që e lë ekipin boshnjak praktikisht jashtë “Euro 2024”.

Në grupi ‘J’ kryeson Portugalia e pamposhtur me 18 pikë, e ndjekur nga Sllovakia me 13 dhe Luksemburgu me 10. Bosnje-Hercegovina dhe Islanda mbeten përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë, me nga 6 pikë, dhe Lihtenshtajni nbyll grupin i fundit.

Debutimi i Milloshevicit në stolin e kombëtares së Bosnje-Hercegovinës do të bëhet më 13 tetor kundër Lihtenshtajnit, për xhiron e shtatë të Grupit ‘J’ të fazës kualifikuese për “Euro 2024”. Tri ditë më vonë, boshnjakët presin Portugalinë, në Zenicë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll