Aktualitet

Djegia e fabrikës së bojërave në autostradën Tiranë-Durrës, reagon pronari: E përballuam të gjithë bashkë

Pronari i fabrikës, Luan Muça ka falenderuar strukturat e shtetit dhe ndihmën e zjarrfikësve, që ndihmuan në shuarjen e flakëve dhe bënë të mundur shpëtimin e pjesës më të madhe të fabrikës.

24 Shtator 2023, 19:54 Nga r.ll
Djegia e fabrikës së bojërave në autostradën
fabrika e djegur

MAMINAS- Fabrika e bojërave ‘Deutsch Color’, në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Maminasit u përfshi mbrëmjen e djeshme nga një zjarr masiv për disa orë derisa u bë e mundur shuarja e flakëve.

Pronari i fabrikës, Luan Muça ka falenderuar strukturat e shtetit dhe ndihmën e zjarrfikësve, që ndihmuan në shuarjen e flakëve dhe bënë të mundur shpëtimin e pjesës më të madhe të fabrikës.

REAGIMI I PLOTË:

Të dashur miq dhe bashkëpunëtorë të Deutsch Color!

Mbrëmjen e djeshme për shkaqe të cilat po verifikohen, fabrika jonë në Maminas, Bashkia Shijak, u përfshi në një zjarr masiv. Me një ndjenjë të thellë mirënjohje dhe me krenari dua t’ju njoftoj se kjo situatë e vështirë u përballua nga të gjithë bashkë! Fatmirësisht nuk patëm asnjë fatkeqësi të parikuperueshme, përveç dëmeve materiale. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë maksimale ndaj të gjitha strukturave të shtetit për ndihmën e dhënë natën e djeshme në fabrikën e Deutsch Color. Nderim të veçantë ndaj reparteve të zjarrfikësve të Forcave të Armatosura, Emergjencave Civile, Shijakut, Durrësit, Tiranës, Kamzës etj, të cilët luftuan për disa orë pa ndërprerje duke vendosur jetën e tyre ne rrezik dhe bënë të mundur shpëtimin e pjesës më të madhe të fabrikës Deutsch Color.

Gjithashtu dëshirojmë të falënderojmë sinqerisht, Ministrin e Brendshëm, drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Emergjencave Civile, drejtuesit e shërbimit zjarrfikës të cilët u gjendën menjëherë në drejtimin e aksionit, për shpëtimin e këtij investimi të rëndësishëm në Shqipëri.

Familja jonë Delta Group dhe Deutsch Color ju shprehim mirënjohjen dhe dëshirojmë të garantojmë miqtë, klientët, bashkëpunëtorët tanë në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë se kemi marrë masat për rikthimin në prodhim brenda një kohe shumë të shkurtër.

Luan Muca, Founder and Ceo Delta Group.

Një natë më parë, fabrika e bojërave ‘Deutsch Color’, u përfshi nga një zjarr i përmasave të mëdha. Dëmet materiale janë të shumta, ku disa pjesë të fabrikës janë shkrumbuar plotësisht, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Shkaqet e zjarrit që ka përfshirë Deutsch Color-in ende nuk bëhen të ditura. Natën e kaluar deri në orët e para të mëngjesit 17 mjete zjarrfikëse, mbi 65 efektivë të shërbimit zjarrfikës nga Durrësi, Tirana dhe rrethet e afërta, efektivë të policisë vendore dhe FNSH-së, u përfshinë në operacionin për izolimin e flakëve dhe shuarjen e tyre në një terren të vështirë për shkak të materialeve të djegshme të fabrikës e që shoqëroheshin dhe me shpërthime të herëpashershme.

zjarr ne autostraden tirane durres

Sondazh

Poll