Ekonomi

Yield-i bonove 12-mujore tashmë është në rënie vjetore

30 Gusht 2023, 07:14 Nga A.B

Yield-et e bonove 12-mujore ishin të qëndrueshme edhe në ankandin e fundit të muajit gusht, ndërsa ndodhen tashmë në nivele ndjeshëm më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore përsëri nuk pësoi ndryshime të rëndësishme dhe rezultoi 3.15%, nga 3.16% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Kërkesa ishte përsëri e lartë, me një vlerë totale prej afërsisht 10 miliardë lekësh, nga 7.2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Pro rata apo pjesa e pranuar e ofertave konkurruese shënoi rritje të ndjeshme në 97.21% (nga 37.35% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm), megjithatë kjo nuk ndikoi në rritjen e yield-it mesatar të emetimit.

Në muajin qershor, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore preku nivelin minimal vjetor prej 3.09%, shumë afër normës bazë të interesit. Më tej, gjatë korrikut dhe gushtit, u shënua një korrektim shumë i lehtë në rritje, por në përgjithësi ecuria e yield-it ka qenë e qëndrueshme.

Për më tepër, tashmë yield-i mestaar i bonove 12-mujore paraqitet në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në ankandin e fundit të gushtit 2022, yield-i mesatar i ankandit të bonove 12-mujore kishte qenë në nivelin 3.73%, ose 0.58 pikë përqindje më shumë krahasuar me ankandin e kësaj jave. Yield-i bonove 12-mujore ka rënë, megjithëse norma bazë që nga viti i kaluar është rritur ndjeshëm me 1.75 pikë përqindje (aktualisht 3%, nga 1.25% që ishte një vit më parë).

Rënia e ndjeshme e yield-eve këtë vit është ndikuar nga kërkesa e lartë në tregun primar të bonove dhe frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë. Leku i fortë në kursin e këmbimit dhe politika fiskale shtrënguese i kanë mundësuar ekonomisë kushte monetare ndjeshëm më të çliruara krahasuar me pjesën dërrmuese të ekonomive të Europës.

Yield-i bonove 12-mujore është një tregues i rëndësishëm referues edhe për kreditimin në lekë të sektorit privat. Në përgjithësi, kreditë afatgjata kanë një normë interesi që ndërtohet bazuar në ecurinë e yield-it të bonove 12-mujore plus një marzh fiks.

Rënia e yield-it të bonove po bën që huamarrësit të cilët kanë një kredi të tillë të paguajnë një normë të përgjithshme interesi më të ulët krahasuar me një vit më parë. Kjo përkthehet në vlerë më të ulët të kësteve mujore, duke i dhënë frymëarrje buxheteve të familjeve dhe biznesit dhe duke zbutur efektin e inflacionit mbi këto buxhete.

Gjithashtu, rënia e yield-eve tashmë i ka bërë kreditë në lekë më të lira se ato në euro. Kjo mund të ndikojë në rritjen e huamarrjes në monedhën vendase, siç edhe në fakt ka ndodhur në gjysmën e parë të këtij viti./MONITOR

yel bono thesari

Sondazh

Poll