Ekonomi

AMF pritet të njohë për tregtim në Shqipëri fondet e para të investimit nga vendet e BE-së

Njohja nga AMF do tu japë këtyre fondeve të drejtën për tu tregtuar edhe për investitorët në Shqipëri, me agjent shitjeje Bankën Intesa Sanpaolo.

29 Gusht 2023, 07:11 Nga A.B

AMF pritet të njohë për tregtim në Shqipëri fondet e

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) pritet të miratojë në mbledhjen e fundit të muajit gusht njohjen e fondeve të para të investimit të licencuara në Bashkimin Europian.

Njohja nga AMF do tu japë këtyre fondeve të drejtën për tu tregtuar edhe për investitorët në Shqipëri, me agjent shitjeje Bankën Intesa Sanpaolo.

Në mbledhjen e datës 31 gusht, Bordi i AMF pritet të miratojë vendimet “Mbi miratimin e njohjes së shoqërisë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, “Eurizon Capital” S.A., e licencuar nga Komisioni i Mbikëqyrjes së Sektorit Financiar (CSSF), në Luksemburg”, “Mbi miratimin e njohjes së nënfondeve të SIKTT (sipërmarrje e investimeve kolektive me ofertë publike në tituj të transferueshëm) “Eurizon Fund”: “Azioni Strategia Flessibile” dhe “Equity World Smart Volatility”, miratuar nga CSSF në Luksemburg, nën administrimin e shoqërisë administruese të njohur “Eurizon Capital” S.A dhe “Mbi miratimin e regjistrimit të “Intesa Sanpaolo Bank Albania” sh.a., për ushtrimin e veprimtarisë së agjentit të shitjes në Republikën e Shqipërisë të nënfondeve të mësipërme.

Ligji “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, që u miratua në vitin 2020, parashikon mundësinë e marketimit dhe shitjes në Shqipëri të fondeve të investimit të licencuara në një vend anëtar të BE-së, në mënyrë që investitorët në Shqipëri të kenë më shumë alternativa si dhe akses për të investuar direkt në sipërmarrje të investimeve kolektive të licencuara në BE.

Në mbështetje të ligjit, në muajin mars të këtij viti Bordi i AMF-së miratoi rregulloret “Për njohjen e shoqërisë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive të licencuar në një vend anëtar të BE-së dhe njohjen e sipërmarrjes së investimeve kolektive me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike në tituj të transferueshëm të miratuar në një vend anëtar të BE-së” dhe “Për regjistrimin e agjentit të shitjes së sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike të licencuara në një shtet anëtar të BE-së”.

Rregullorja parashikon se shoqëria administruese apo dega e shoqërisë e licencuar në një vend anëtar të BE-së për të kryer administrimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike mund të marketojë dhe shesë aksionet ose kuotat e sipërmarrjes së investimeve kolektive me ofertë publike në Republikën e Shqipërisë, pas njohjes nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Prospekti që do i vihet në dispozicion investitorëve në Republikën e Shqipërisë, duhet të hartohet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë një shtojcë me informacionin lidhur me mënyrën e marketimit dhe shitjes së sipërmarrjes së investimeve kolektive me ofertë publike të licencuar në një vend të BE-së në Republikën e Shqipërisë.

Sipas rregullores, shoqëria administruese apo dega e shoqërisë administruese e licencuar në një vend anëtar të BE-së pas njohjes, duhet t’i mundësojë AMF-së çdo informacion që kërkohet për çështjet e lidhura me veprimtarinë e subjekteve të njohura.

Tregtimi i fondeve nga vendet e BE-së pa licencim, por me njohje nga AMF është kundërshtuar nga shoqata e fondeve të investimit në Shqipëri.

Sipas Shoqatës, lejimi i tregtimit të fondeve nga vendet e BE-së në Shqipëri me një proces të thjeshtë njohjeje i vendos fondet shqiptare në kushte konkurrence të pabarabartë, pasi ato nuk mund të reklamojnë ose të shesin në një vend të BE.

Shoqata argumentonte se fondet e investimeve vendase nuk konkurrojnë dot me fuqinë reklamuese të një fondi global, fakt i cili krijon premisa për tkurrjen e këtyre fondeve dhe skenari pesimist mund të jetë që, në një cikël rritjeje të tregjeve globale, kapitali shqiptar do jetë i investuar në tregje ndërkombëtare dhe ekonomia shqiptare, duke mos pasur opsione investimi, do të mbetet pas në rritje.

Megjithatë, sipas AMF, edhe shoqëritë administruese të licencuara në Shqipëri do të kenë të drejtë të tregtojnë fondet e investimit të licencuara në vendet e BE-së.

Sipas parashikimeve të nenit 101 të ligjit, rolin e agjentit të lidhur për të marketuar dhe shitur fonde të një shoqërie të licencuar në një vend të BE, mund ta kryejnë shoqëritë e sigurimit, shoqëritë komisionere, bankat ose persona të tjerë juridikë (përfshirë shoqëritë administruese të Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive) që kanë licencën e nevojshme nga Autoriteti, në zbatim të legjislacionit në fuqi për tregjet e kapitalit, të cilët kanë lidhur kontratë me shoqërinë administruese ose degën e shoqërisë administruese të licencuar në një vend të BE-së. /MONITOR

be amf shqiperi fonde

Sondazh

Poll

Ekonomi 27 Gusht 2023, 07:40 I.A

Amerika Latine, gjeografia e re e naftës

Foto Ilustruese SHBA- Në ujërat e thella blu përtej brigjeve të Guajanës, anijet gjigante po nxjerrin naftë nga rezervuar&eum...