Sport

Skandal në Botërorin e Budapestit! Atleti xhamajkan vrapon me copa xhami në sy…

Pas aksidentit ku u përplasën dy autobusë me atletët e garës së 200 metrave, ai konkurroi, por nuk arriti në finale… Gjithsesi atij iu dha një vend për në finale

25 Gusht 2023, 09:30 Nga DOSJA
Skandal në Botërorin e Budapestit! Atleti xhamajkan vrapon me copa

HUNGARI - Një skandal i madh ka ndodhur në ditën e gjashtë të Kampionatit Botëror të Atletikës në Budapest, jashtë vetë stadiumit.

Para fillimit të gjysmëfinaleve të garës së 200 metrave, dy mjetet që transportonin atletët nga terreni stërvitor që ndodhet në afërsi të stadiumit, janë përplasur me njëri-tjetrin, duke shkaktuar dëmtimin e rëndë të një garuesi.

Është xhamajkani Andrew Hudson, të cilit iu dha ndihma për 20 minuta, pasi i mbetën copa xhami në sy! Megjithatë, shumë shpejt ai garoi, në grupin e pare, që nisi i fundit për shkak të incidentit. 

Ai zuri vetëm vendin e pestë me kohën 20.38, por pas një apeli, edhe atij iu dha një vend në finale, kështu që të premten në mbrëmje gjithsej nëntë sportistë do të luftojnë për një medalje në sprintin e 200 metrave.

Pas garës, xhamajkani Hudson deklaroi se shkoi përsëri te mjeku dhe se donte të garonte në finale. “Më pas u ktheva te mjeku dhe më tha se kisha copa xhami në sy. Doktori u përpoq të rregullonte gjithçka sa më mirë. Njerëzit nga atletika botërore më pyetën nëse do të garoja. U përpoqa sepse kam punuar shumë për të qenë këtu, - tha Hudson, i cili më pas iu përgjigj pyetjeve që lidhen me vetë garën:

“Nuk e di. Syri im ishte i turbullt. Gara ishte e turbullt. Faleminderit të gjithë sportistëve që ranë dakord për të nisur garën më vonë”, - përfundoi Andrew Hudson.

Në incident është përfshirë edhe amerikani Noah Lyles, i cili ka mbetur i padëmtuar dhe është kualifikuar në finale me kohën më të mirë. Së bashku me Hudson, u plagos edhe një vullnetar, por tani është mirë, thuhet në një deklaratë të World Athletics, e cila gjithashtu thekson se i gjithë rasti është nën hetim.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll