Bota

Izraeli në momentin e tij më kritik, vijojnë protestat jashtë Parlamentit. Përse SHBA është e shqetësuar?

Për herë të parë në 75 vitet e ekzistencës së shtetit të Izraelit, vendi po përballet me një krizë të brendshme kaq të zgjatur.

29 Korrik 2023, 20:47 Nga m.s
Izraeli në momentin e tij më kritik, vijojnë protestat
Protestat masive në Izrael

Kanë kaluar 30 javë që kur Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij nacionaliste njoftuan synimin e tyre për të ulur ndjeshëm rolin e shqyrtimit të Gjykatës së Lartë të Izraelit. Për herë të parë në 75 vitet e ekzistencës së shtetit të Izraelit, vendi po përballet me një krizë të brendshme kaq të zgjatur, shkruajnë mediat e huaja. 

Vazhdojnë protestat jashtë Parlamentit të vendit, ndërsa qytetarët nuk pajtohen me vendimin e Netanyahut, ndërsa kundër-demonstrata po zhvillohen edhe nga ata që mbështesin ndryshimin strukturor të kushteve politike të vendit.

Por çfarë përfshin projektligji i Netanyahut?

Ky është një projektligj, i cili synon të kufizojë kompetencat e Gjykatës së Lartë të Izraelit, veçanërisht në pjesën e kontrollit të projektligjeve të Qeverisë përkatëse, në të cilën deri më sot ajo ka të drejtë të ushtrojë "veto" dhe t'i kthejë ato, duke parandaluar mundësinë e hyrjes në fuqi të ligjeve që nuk janë "në përputhje me demokracinë dhe ligjshmërinë".

Opozita flet për shkatërrimin e institucioneve dhe kufijve në vend, dhe Gjykata e Lartë ka një rol kryesor në kontrollin e punës legjislative. Mbështetësit, kryesisht nacionalistët të qeverisë vënë në dukje se përbërja e Gjykatës së Lartë vitet e fundit është bërë "jashtëzakonisht e majtë", dhe se me projektligjin e ri pushteti ekzekutiv do të fitojë një epërsi dhe shpejtësi të konsiderueshme në zbatimin e projektligjeve të rëndësishme.

Pse ka reagime kaq të forta dhe protesta “të vazhdueshme”?

Shumica e njerëzve që protestojnë masivisht për shtatë muaj jashtë Parlamentit besojnë hapur se Netanyahu dhe qeveria e tij po përpiqen të ndryshojnë në mënyrë jo demokratike dhe mbi të gjitha të paligjshme një institucion që nuk do të ishte në gjendje të miratonte grupin e "vijës së ashpër" për disa dhe “ekstreme” për të tjera projektligje që qeveria ka në axhendën e saj.

Pse SHBA është kaq e shqetësuar?

"Bazat" e demokracisë në Izrael, një demokraci relativisht e re, nuk janë më solidet. Roli i presidentit nuk është institucional, qeveria ka një shumicë të brishtë 64-56 dhe nuk ka një Kushtetutë të shkruar në vend.

Destabilizimi i sjellë nga vendimi i qeverisë Netanyahu është strukturor për Uashingtonin, pasi ka shumë gjasa që ato të përshkallëzohen dhe për herë të parë “shtylla” e stabilitetit për Perëndimin në rajon do të përballet me probleme të brendshme, të vështira. Irani është dhe mbetet një çështje e rëndësishme për zyrën ovale, dhe një Izrael i dobësuar ose i trazuar nuk do t'i ndihmojë gjërat.

A do të vijnë më shumë ndryshime?

Nuk është e qartë dhe kjo pyetje specifike i shqetëson edhe më shumë analistët perëndimorë. Netanyahu ka përgatitur tashmë me stafin e tij një tjetër projektligj që pritet të debatohet në Kuvend, dhe ka të bëjë me mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve. Sot, më shumë se kurrë, Izraeli po përballet me betejën e laikëve dhe fanatikëve dhe duket se këtë herë vështirë se do ta shmangë apo ta shtyjë atë.

benjamin netanyahu izrael

Sondazh

Poll