Politike

“Ligjin e bëjnë bandat”, Basha: Shqipëria e 7-ta nga 154 vende për drogën, Vetting për ta shkëputur politikën nga krimi e korrupsioni

Basha ka inkurajuar SPAK-un, që të hetojë këdo që ka abuzuar me paratë dhe besimin e shqiptarëve

22 Korrik 2023, 19:01 Nga m.s
“Ligjin e bëjnë bandat”, Basha: Shqipëria e 7-ta nga
Basha ne Vlore

VLORË- Lulzim Basha është shprehur kundër ligjit të kaluar së fundmi nga qeveria, për lejimin e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, ku sipas tij, i shërben vetëm krimit. Mesazhin ai e përcolli gjatë një takimi me mbështetës në Vlorë. Basha ka inkurajuar SPAK-un, që të hetojë këdo që ka abuzuar me paratë dhe besimin e shqiptarëve. Po kështu ka kërkuar sa më parë Vetting-un e politikanëve, për të pastruar politikën nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit.

“Në një shtet ku ligjin e bëjnë bandat - legalizimi i kanabisit është akt kriminal ndaj shoqërisë e sidomos ndaj të rinjve. Tashmë është fakt botërisht i njohur se si kjo qeveri e kanabizoi Shqipërinë. Në Raportin Botëror të Drogës për vitin 2022, publikuar nga zyra e OKB-së për krimin dhe drogën, Shqipëria renditet në vendin e 7 nga 154 vende të botës për prodhimin dhe shpërndarjen e drogës. Pamundësitë ekonomike, varfëria e papunësia kanë detyruar qindra qytetarë të punojnë si skllevër në parcelat e kanabisit që mbroheshin nga policia. E në vend që qeveria të tërhiqte investime, që hapin vende pune, rrisin mirëqënien e tyre, legalizon industrinë e kanabisit. Në po të njëjtën ditë kjo mazhorancë, e cila ka dështuar t’u krijojë kushte më të mira e trajtim dinjitoz mjekëve që të mos largohen, kërkon me ligj t’i “burgosë” mjekët e ardhshëm për t’i ikur përgjegjësisë së saj. Një Shqipëri e çliruar nga korrupsioni që kërcënon mirëqenien e familjeve shqiptare, i cili është ulur këmbëkryq në zyrat e qeverisë, siç dëshmon afera e Inceneratorëve, apo abuzimi me fondet e BE për bujqësinë, është prioritet sot i çdo qytetari të këtij vendi.

Ne inkurajojmë dhe mbështesim SPAK-un të hetojë pa e ndalur hetimin e gjithkujt që ka abuzuat me paratë dhe besimin e shqiptarëve e nga ana tjetër kërkojmë sa më parë vetting-un e politikanëve, për të pastruar politikën nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit. Ndiq paranë por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo. E jo vetëm kaq por duhen krijuar mekanizmat ligjorë dhe mbështetja e pakushtëzuar për SPAK, që paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve! Partia Demokratike ka nisur ndryshimin nga vetja e do ta sjellë këtë ndryshim për gjithë Shqipërinë duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet të cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve, që t’i zgjedhin vetë deputetët e tyre e për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë".

lulzim basha vetting

Sondazh

Poll