Aktualitet

Në kërkim nga drejtësia italiane për trafik narkotikësh, arrestohet 44-vjeçari në Tiranë

Policia e Shtetit bën me dije se 44-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në trafik droge, ndërsa grupi i tij në Itali u godit gjatë operacionit "Doppio gioco".

4 Korrik 2023, 14:32 Nga k.m.
Në kërkim nga drejtësia italiane për trafik
Foto ilustruese

TIRANË- Arresohet në Shqipëri 44-vjeçari, Roland Hysollari, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Italisë. Policia e Shtetit bën me dije se 44-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në trafik droge, ndërsa grupi i tij në Itali u godit gjatë operacionit "Doppio gioco". Tashmë pritet ekstradimi i tij drejt shtetit fqinj në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

Gjatë operacionit në Itali u sekuestruan 50 kg kokainë, ndërsa koka e këtij grupi kriminal ishin dy vëllezër shqiptarë me banim në Porto Sant’Elpidio, rajoni Marche, bashkëpunëtorë të afër të tyre ishin po shqiptarë që banonin në  Montemarciano (Ancona) e që ishin ortakë me trafikantë italianë. Hetimet kanë dokumentuar një trafik droge me mbi 700 kg kokainë e hashash me një vlerë prej 35 milionë euro.

Organizata kriminale ndërkombëtare që vepronte në zonën e Civitanova dhe Porto Sant'Elpidio kishte degë në Shqipëri, Belgjikë, Holandë dhe Spanjë. Gjatë aksionit u sekuestruan edhe të mira materiale me blerë 1 milion euro duke përfshirë dy ora Rolex dhe një Cartier. Droga transportohej me makina të pajisura me 'xhepa falso', të cilat mund të aktivizoheshin nëpërmjet një butoni pranë komandimit të ajrit të kondicionuar. 

NJOFTIMI I POLICISË:

Policia e Shtetit/Operacione të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet operacioni policor i koduar “Doppio gioco”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në bashkëpunim me FAST Albanian, Interpol Tiranën, zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Operacioni vijon paralelisht edhe në Itali, për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

I akuzuar nga autoritetet e Italisë, si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin, 44-vjeçari. Si rezultat i punës lokalizuese të kryer nga shërbimet e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale, në bashkëpunim me FAST Albanian, zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe në vijim të shkëmbimit të informacioneve, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e përkohshëm, më qëllim ekstradimin drejt shteteve ku kanë kryer veprën penale, të shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Doppio gioco”, në kuadër të të cilit u kap shtetasi: R. H., 44 vjeç, banues në Tiranë.

44-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Ankonas ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar, për të, për veprën penale “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, të parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë bashkëpunimin me qëllim ekstradimin e shtetasit R. H., drejt Italisë.

operacioni doppio gioco roland hysollari

Sondazh

Poll