Ekonomi

Ekspozimi i sektorit bankar në borxhin e qeverisë arrin në 4.5 miliardë euro

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë se vlera e titujve të qeverisë shqiptare në portofolin e bankave është rritur me 5.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

29 Maj 2023, 10:46 Nga A.B

Ekspozimi i sektorit bankar në borxhin e qeverisë arrin në 4.5

Investimet e sektorit bankar shqiptar në borxhin e qeverisë shqiptare po vijojnë të rriten dhe kanë arritur vlerën e 507 miliardë lekëve ose rreth 4.5 miliardë eurove në fund të tremujorit të parë të këtij viti.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë se vlera e titujve të qeverisë shqiptare në portofolin e bankave është rritur me 5.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sektori bankar është financuesi kryesor i borxhit të qeverisë shqiptare. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në mesin e këtij viti bankat tregtare rreth 54% të vlerës totale të instrumenteve të borxhit të brendshëm.

Bankat kanë rritur paralelisht si ekspozimin në instrumentet e borxhit në lekë, ashtu edhe në valutë të huaj. Vlera e bonove dhe obligacioneve në lekë në fund të tremujorit ka arritur në 425.6 miliardë lekë, në rritje me 6.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Vitin e kaluar, yield-et e bonove dhe obligacioneve shënuan një rritje të shpejtë. Kjo rritje i bëri ato më tërheqëse për investitorët e vegjël, por shkaktoi një lloj pasigurie për investitorët institucionalë, duke përfshirë bankat.

Pritshmëritë për rritje të mëtejshme të yield-eve bëri që në pjesën e dytë të vitit bankat të mbanin pozita hezituese, sidomos për investimin në instrumente afatgjatë. Kjo bëri që bankat të preferonin sidomos bonot e thesarit dhe në tërësi ekspozimi i tyre në borxhin e qeverisë në lekë ka vijuar të rritet.

Ndërkohë, bankat kanë vazhduar të rrisin edhe investimet në borxhin në valutë të huaj, që konsiston në Eurobondet e qeverisë shqiptare. Letrat me vlerë qeveritare në valutë të huaj në bilancin e sektorit bankar kanë arritur vlerën e 81.4 miliardë lekëve, në rritje me 5.2% krahasuar me një vit më parë.

Në valutën e investimit, rritja ka qenë edhe më e lartë, por kjo rritje është tkurrur statistikist nga mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit me euron.

Bankat kanë qenë ndër investitorët më të interesuar në eurobondet e emetuara nga qeveria shqiptare. Përveç pjesës së blerë në tregun primar, ato e kanë rritur më tej investimin nëpërmjet blerjeve në tregun dytësor.

Letrat me vlerë të qeverisë shqiptare përbëjnë tashmë 26.6% të totalit të aktiveve të sektorit bankar, në rritje të lehtë nga niveli prej 26.5% që regjistrohej.

Huaja për sektorin privat ngelet shtylla kryesore në strukturën e bilancit të sektorit bankar shqiptar. Në fund të tremujorit të parë të vitit, portofoli i huasë përbënte 39.3% të aktiveve totale.

Megjithatë, pesha e kredisë në bilanc ka pësuar rënie nga niveli prej 39.9% që zinte një vit më parë. Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të tkurrjes së portofolit të kredisë, duke filluar nga nëntori i vitit të kaluar, si rezultat i rënies së kredisë së re.

Gjithashtu, ky zhvillim është ndikuar pjesërisht edhe nga efekti i kursit të këmbimit, duke qenë se vitin e kaluar u shënua një rritje e theksuar e kreditimit në euro. /MONITOR

banka shqiptare

Sondazh

Poll