Ekonomi

Fondet e investimit iu kthyen rritjes në tremujorin e parë të vitit

Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të këtyre fondeve arritën në afërsisht 42 miliardë lekë, në rritje me 1.3% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

24 Maj 2023, 07:32 Nga I.A
Fondet e investimit iu kthyen rritjes në tremujorin e parë të
Foto Ilustruese

TIRANË- Tregu i fondeve të investimit i është rikthyer rritjes në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të këtyre fondeve arritën në afërsisht 42 miliardë lekë, në rritje me 1.3% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Kjo është rritja e parë e aseteve të këtij tregu, pas katër tremujorësh radhazi në rënie. Numri i anëtarëve pësoi përsëri një rënie të lehtë me 0.6% krahasuar me fundin e vitit 2023, por largimi i investitorëve është frenuar ndjeshëm krahasuar me ritmet e vitit të kaluar. Shifrat e tremujorit të parë nuk përfshijnë fondet e investimeve alternative.

Tregu i fondeve të investimit pësoi një goditje të fortë vitin e kaluar nga rritja e shpejtë e normave të interesit dhe yield-eve në tregun financiar. Fondet e investimit në lekë i kanë përqendruar investimet e tyre sidomos në obligacione të qeverisë shqiptare dhe në një masë më të vogël në bono thesari dhe mjete likuide (llogari bankare).

Fondet në valutë kanë një spektër më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë insturmentet financiare të borxhit të qeverive dhe shoqërive tregtare. Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg ngelet e ulët.

Vlera e tregut e instrumenteve financiarë të borxhit lëviz në drejtim të kundërt me ecurinë e yield-eve në tregun primar. Në këtë mënyrë, rritja e shpejtë e yield-eve solli rënien e vlerës së portofoleve financiarë të fondeve dhe rrjedhimisht uljen e ndjeshme të kthimeve nga investimi për anëtarët. Kjo bëri që shumë prej tyre të dilnin nga fondet, të joshur edhe nga mundësia për të investuar direkt në tregun primar të bonove të thesarit.

Vitin e kaluar, rreth 11 mijë shqiptarë zgjodhën të dilnin nga fondet e investimit. Kjo situatë bëri që në harkun e një viti fondet e investimit të tkurreshin me rreth 34 miliardë lekë ose pothuajse 300 milionë euro asete. Këtë vit, situata e tregut është përmirësuar dhe çmimi i kuotës për fondet e investimit paraqitet në përmirësim krahasuar me vitin 2023. Të dhënat e shoqërive administruese treguan se normat vjetore të kthimit kanë shfaqur një tendencë në rritje dhe disa janë kthyer tashmë në territor pozitiv.

Vlerësohet se përmirësimi i performancës ka ardhur nga korrektimi në rënie i yield-eve të bonove dhe obligacioneve pas muajit dhjetor, por edhe nga efekti pozitiv që ka dhënë protofoli i investimeve të reja të kryera vitin e kaluar, me norma kthimi më të larta.

Në treg gjatë tremujorit të parë ishin aktive 11 fonde investimi, të administruara nga pesë shoqëri të ndryshme administruese. Ndërkohë, dy prej fondeve të investimit të licencuara nga AMF, Sigal Invest dhe Albsig Selective Equitiy ETF-s nuk ishin ende aktivë në tremujorin i të vitit. Tregu dominohet nga fondet në monedhën vendase, që përbëjnë pothuajse 90% të vlerës neto të aktiveve të fondeve. Me shoqërive administruese, Raiffeisen Invest administron 95% të vlerës së aseteve neto të tregut.

Marrë nga Monitor.al

amf

Sondazh

Poll