Ekonomi

Forcimi i lekut rriti cilësinë e portofolit të kredisë së ekspozuar ndaj kursit të këmbimit

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme për këtë portofol të kredisë ra në 3.8% në fund të dhjetorit 2022, në krahasim me 4% dhe 4.7% gjashtë muaj dhe një vit më parë.

22 Maj 2023, 17:30 Nga A.B

Forcimi i lekut rriti cilësinë e portofolit të kredisë

Cilësia e kredisë në valutë të ekspozuar ndaj kursit të këmbimit u përmirësua gjatë vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme për këtë portofol të kredisë ra në 3.8% në fund të dhjetorit 2022, në krahasim me 4% dhe 4.7% gjashtë muaj dhe një vit më parë.

Ky është niveli më i ulët i këtij treguesi që prej vitit 2009. Kredia me probleme në këtë segment paraqitet madje ndjeshëm më e ulët krahasuar me raportin mesatar të kredive me probleme të sektorit bankar, që në fund të vitit 2022 ishte në nivelin 5%. Kredia e pambrojtur në valutë ose kredia e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit nënkupton se kredia është marrë në një valutë të ndryshme nga ajo në të cilën huamarrësi siguron të ardhurat e tij.

Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për kredi të marra në valutë të huaj, ndërkohë që të ardhurat e huamarrësve janë në lekë. Një nga arsyet e rënies së raportit të kredive me probleme në këtë segment mund të jetë edhe mbiçmimi i ndjeshëm i lekut në kursin e këmbimit valutor ndaj euros.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kursi mesatar i këmbimit të Euros për vitin 2022 zbriti në 119 lekë, 122.5 lekë që kishte qenë në vitin 2021. Por, gjysma e dytë e viti ka sjellë një tendencë në dukshme drejt një mbiçmimi më të lartë të monedhës vendase.

Për tremujorin e fundit 2022, Euro u këmbye mesatarisht me 116.4 lekë. Rënia e kursit të euros duket se ka pasur një ndikim pozitiv, mes faktorëve të tjerë, në cilësinë e portofolit të kredisë në valutë të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në përmirësimin e cilësisë së kredisë së pambrojtur ka ndikuar pakësimi sidomos në kreditë me probleme të dhëna për zhvillim biznesi dhe për tregti.

Peshën kryesore, ose 80% të totalit në tepricën e kredive me probleme të pambrojtura nga luhatjet e kursit të këmbimit vijon ta mbajë kredia për investime në pasuri të paluajtshme.

Raporti i kredive me probleme për këtë kategori kredie ra në rreth 5.1%, nga 6.7% një vit më parë. Ecuri pozitive është regjistruar për të gjitha llojet e kredisë së pambrojtur, por rënien më të shpejtë të raportit të kredive me probleme e regjistroi kredia për tregti. Raporti i kredive me probleme për këtë lloj kredie në dhjetor 2022 arriti nivelin më të ulët historik, prej 0.9%.

Në fund të vitit të kaluar, stoku i kredisë së pambrojtur në valutë arriti në rreth 130 miliardë lekë. Ritmi i rritjes së kredisë së pambrojtur në valutë gjatë vitit 2022 ka qenë i ngjashëm me atë të rritjes së kredisë së përgjithshme dhe të kredisë totale në valutë. Kjo ecuri ka bërë që të ruhet pesha e këtij portofoli ndaj tepricës së kredisë dhe ndaj kredisë në valutë në vlera që luhaten rreth niveleve 18% dhe 34%./MONITOR

forcimi i lekut leku

Sondazh

Poll