Politike

Kandidatët e PS në avantazh! Bashkitë ku kryesojnë kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”

Kandidatët e Partisë Socialiste kryesojnë në pjesën më të madhe të bashkive të vendit, si në Tiranë, Durrës, Kavajë, madje edhe në Shkodër.

15 Maj 2023, 06:49 Nga A.B
Kandidatët e PS në avantazh! Bashkitë ku kryesojnë
Procesi i votimit

TIRANË- Procesi i numërimit të votave po vijon me ritme të shpejta në të gjitha bashkitë e vendit. Në disa prej tyre, ky proces ka përfunduar, ndërsa Kavaja e ka nisur këtë proces rreth orës 05:00.

Kandidatët e Partisë Socialiste kryesojnë në pjesën më të madhe të bashkive të vendit, si në Tiranë, Durrës, Kavajë, madje edhe në Shkodër.

Ndërkohë, kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” kryesojnë në 7 bashki të vendit. Në Has, Fushë Arrëz, Pukë dhe Mirditë, kandidatët e këtij koalicioni po shkojnë drejt fitores teksa kanë mbetur edhe kutitë e fundit. Në Pukë, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka triumfuar duke marrë kështu zyrtarisht bashkinë e parë. 

Kandidati i koalicionit BF, Rrok Dodaj ia doli të merrte 3480 vota, ose 58.13%, ndërsa kandidati i Partisë Socialiste Gjon Gjonaj mori  2507, ose 41.87%.

Në Bashkinë e Kuçovës gara është e fortë. Deri në orën 05:50 janë numëruar votat e 19 kutive nga 65 dhe udhëheq Lefter Maliqi i koalicionit Bashkë Fitojmë. Kandidatët e këtij koalicioni kryesojnë edhe në Rrogozhinë e Memaliaj.

Si shkoi procesi i zgjedhjeve?

Shqipëria mbajti një ditë më parë (14 Maj) zgjedhjet vendore 2023. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën zyrtarisht në orën 19:00. Tashmë ka nisur procesi i numërimit në disa bashki. Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan pati votim dhe numërim elektronik dhe në të treja këto bashki, fitues doli PS. 

Mbi 3.6 milionë qytetarë kishin të drejtë vote, për të zgjedhur 61 kandidatë për kryebashkiakë. Në 61 bashki të vendit ishin të hapura 5213 qendra votimi. Mbi 500 qendra votimi shfaqën probleme teknike me identifikimin biometrik, duke shkaktuar vonesa në votime./Dosja.al

zgjedhjet lokale 14 maj 2023

Sondazh

Poll