Politike

Rreth trajnimit pavlovian të publikut

U lajmërua pushimi. Nuk arrinim të dilnim dot nga salla, të penguar pas gjunjëve të trekëmbëshave të kamerave dhe të ngatërruar pas kabllove të teknikës së mediave, tashmë shtrirë për të ngordhur përgjatë dyshemesë së pjerrët të sallës. Nga zelli në dyert e pakta, dukej sikur ishte lajmëruar ndonjë zjarr.

18 Prill 2023, 18:26 Nga DOSJA
Rreth trajnimit pavlovian të publikut
Ardian Vehbiu

Kjo që i ndodhi Ermonela Jahos – salla bosh, më kujtoi një turp të ngjashëm, që pat ndodhur me disa shkrimtarë të ftuar për një takim me temën “Lehtësia e papërballueshme e fjalës”, në Tiranë, maj të vitit 2014, te Fakulteti i Shkencave Sociale, Salla e Ekselencës. Takimin e organizonte Njësia e Komunikimit dhe Hulumtimit në Kryeministri me mbështetjen e Fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung.

Merrnin pjesë, si të ftuar, Elvira Dones, Bashkim Shehu, Luan Rama, Genc Burimi (që moderoi bisedën, bashkë me Falma Fshazin), Besa Myftiu, Eda Derhemi dhe unë, të gjithë autorë që jetonin larg Shqipërisë, por që ishin prej vitesh të pranishëm si zëra, në skenën e librit shqip. Vura re një dyndje të pashembullt kamerash dhe mikrofonash, nga gjithfarë mediash të Tiranës: thuhej se do të vinte në takim vetë Edi Rama (nuk e mbaj mend nëse pastaj erdhi; më duket se jo). Por erdhën konsujt e Fuqive të Mëdha, dhe të tjerë të mëdhenj të periferive të botës, të larë në dritë dhe vëmendje. Te salla e ekselencës nuk hidhje dot më as mollën.

Seanca e parë kaloi me liturgji ndërkombëtarësh – mesazhe e masazhe verbale soporifike, me siguri të ricikluara nga evente të tjera po aq liturgjike dhe soporifike, por që u duk sikur u ndoqën me vëmendje absolute nga të pranishmit. U lajmërua pushimi. Nuk arrinim të dilnim dot nga salla, të penguar pas gjunjëve të trekëmbëshave të kamerave dhe të ngatërruar pas kabllove të teknikës së mediave, tashmë shtrirë për të ngordhur përgjatë dyshemesë së pjerrët të sallës. Nga zelli në dyert e pakta, dukej sikur ishte lajmëruar ndonjë zjarr.

Pastaj kur filloi seanca e dytë, ajo ku do të na vinte radha neve për të “kënduar”, salla ishte bosh: kishin ikur të gjithë: jo vetëm ambasadorët me shpurat e tyre, por edhe gazetarët me kamerat e tyre dhe fytyra të tjera televizive. Kishin ikur të interesuarit, kuriozët dhe dashamirësit, bodyguard-ët dhe terjaqinjtë e letërsisë shqipe, pedagogët e letrave dhe përfaqësuesit e botimeve, ekspertët e librit, operatorët e kulturës dhe vëzhguesit e diasporës.

Paskëshin ardhur aty për Ramën, për ta përshëndetur, si të ishte njeriu i shenjtë. E kuptova – jo pa hidhërim – se eventi, fjala dhe përvoja që kishim ardhur të ndanim, nuk i interesonin kujt. Në sallë kishin mbetur katër kokrra – miqtë e të njohurit tanë, që mbase nuk iknin dot, sepse nuk donin të na lëndonin. (Ra ky Ramë dhe u pamë.)

Natyrisht, Ermonela Jaho ka statusin absolut të një ylli të operistikës botërore, ndryshe nga ne të letrave, që shkojmë e vijmë nën hijen e qiparisave të varrezave lokale; edhe pse unë besoj se në Tiranë ka shumë më tepër njerëz që lexojnë dhe shijojnë Elvirën dhe Bashkimin dhe Besën, se njerëz që ndjekin operën. Që evente të tilla kulturore shpesh dështojnë, kjo ndodh – besoj unë – ngaqë publiku i tyre, të paktën në Tiranë, është trajnuar të veprojë si publik eventesh politike, ose detashment i koagulimit të votës.

Kam shkruar, vite më parë, se politika në Tiranë synon ta rekrutojë dhe përdorë kulturën si vegël për krijimin, mirëmbajtjen dhe riprodhimin e masës zgjedhore, në trajtën e publikut. Ajo që ndodhi atë ditë të majit 2014, kur një sallë e mbushur cip më cip, befas u zbraz sapo mbaroi seanca e parë dhe u larguan të gjithë “pezzi grossi” më duket tani si paralajmërim i së ardhmes që e priste skenën kulturore publike të kryeqytetit.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

ardian vehbiu ermonela jaho

Sondazh

Poll