Ekonomi

Hekurudha Durrës-Prishtinë, KPP “urdhëron” rivlerësim të tenderit për studimin e fizibilitetit

Procedura e hapur në muajin tetor arriti të kalonte fazën e parë të vlerësimit të ofertave në dhjetor 2022 ku operatori ankimues u njoftua për skualifikim. Në këtë fazë të kualifikuar ishin vetëm dy kompani Tecnica y Proyectos” S.A, Yuksel Proje” A.S.

13 Prill 2023, 07:09 Nga DOSJA
Hekurudha Durrës-Prishtinë, KPP “urdhëron”
Foto Ilustruese

TIRANË- Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka kërkuar që të bëhet rivlerësim për procedurën e prokurimit me objekt “Studim i Fizibilitetit dhe Projekt – Ide për Lidhjen Hekurudhore Durrës -Prishtinë” ankimuar pak kohë më parë nga një prej operatorëve të skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.

Bëhet fjalë për ankimimin e bashkimit të shoqërive “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK, që është një nga shtatë kompanitë që morën pjesë në procedurën me fond limit 200 milionë lekë. Procedura e hapur në muajin tetor arriti të kalonte fazën e parë të vlerësimit të ofertave në dhjetor 2022 ku operatori ankimues u njoftua për skualifikim. Në këtë fazë të kualifikuar ishin vetëm dy kompani Tecnica y Proyectos” S.A, Yuksel Proje” A.S.

Duket se një nga shkaqet e skualfiikimit të operatorit ankimues ka qenë i lidhur me dorëzimin e pasqyrave financiare dhe standardin e ndryshëm që aplikohet në Austri. Për këtë Komisioni i Prokurimit Publik ka kërkuar informacion ku ka rezultuar se referuar rregullores së përgjithshme standarde për raportimin ligjor financiar në Austri: kompanitë që operojnë në tregun austriak, e kanë detyrim ligjor të kryejnë raportimin vjetor financiar jo më vonë se 5 muaj nga data e dorëzimit të pasqyrës së bilancit financiar. Data e dorëzimit të bilancit financiar varion nga madhësia e kompanisë dhe statusi juridik.

Komisioni i Prokurimit Publik është ndalur në vendimin e tij pikë pas pike duke sqaruar elementët e nevojshëm që duhet të mbahen parasysh nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave teksa ka nënvizuar se “K.P.P, gjykon se nuk mund të marrë tagrin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, por në dritën e përgjigjes së dhënë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, është detyrë e autoritetit kontraktor për një vlerësim sa më të drejtë dhe transparent të rivlerësoje procedurën e prokurimit në përputhje me parashikimet e nenit 92 i ligjit nr. 162/2020 datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik” dhe nenin 82 të Vendimit Nr. 285 datë 19.05.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” të ndryshuar. Sa më sipër pretendimi i bashkimit të operatorëve ekonomik ankimuese qëndron”.

Në këto kushte Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK për procedurën e prokurimit “Shërbim Konsulence”, me Nr. REF- 45735-10-13-2022, me objekt: “Studim i Fizibilitetit dhe Projekt – Ide për Lidhjen Hekurudhore Durrës -Prishtinë”, me fond limit 200,224,996 (dyqind milionë e dyqind e njezetë e katër mijë e nëntë qind e nëntë dhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH ose 1.708.696 Euro (një milion e shtatëqind e tetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) Euro kursi i këmbimit sipas Bankës së Shqipërisë datë 07.10.2022, 1 euro = 117.18 lekë, zhvilluar me datë 07.12.2022 nga autoriteti kontraktor, Hekurudha Shqiptare.

“Autoriteti kontraktor të rivlerësojë procedurën e prokurimit objekt shqyrtimi duke respektuar parashikimet e nenit 92 i ligjit nr. 162/2020 datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik” dhe nenin 82 të Vendimit Nr. 285 datë 19.05.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” të ndryshuar.

Autoriteti kontraktor, brenda 5 ditëve, të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit, duke dokumentuar veprimet e kryera” thuhet në vendim.

Linja hekurudhore Durrës-Prishtinë është një angazhim i dy vendeve i theksuar në mbledhjet e përbashkëta të qeverive. Ajo vlerësohet me një kosto të përafërt 700 milionë euro ndërkohë që studimi i fizibilitetit që do të zërë vend pas nënshkrimit të kontratës me operatorin fitues do të përcaktojë alternativën më të mirë të gjurmës së hekurudhës.

Marrë nga Monitor.al

hekurudha durres prishtine

Sondazh

Poll