Ekonomi

Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare ulet në 6.6%

Interesi i investitorëve ishte përsëri i lartë dhe shuma e kërkesave në ankand arriti në 7.1 miliardë lekë, nga 3 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga MFE. Edhe në këtë rast, MFE vendosi ta rrisë shumën e pranuar me maksimumin e lejuar prej 15%, duke e çuar atë në 3.45 miliardë lekë.

12 Prill 2023, 07:16 Nga DOSJA
Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare ulet në 6.6%
Foto Ilustruese

TIRANË- Yield-i i obligacioneve 10 vjeçare pësoi një tjetër rënie të fortë në ankandin e kësaj jave. Të martën u zhvillua rihapja e ankandit të obligacioneve 10-vjeçare të emetuara në muajin janar të këtij viti. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), yield-i uniform i pranuar i këtyre instrumenteve zbriti në 6.6%, nga 7.6% që kishte qenë në ankandin e muajit janar.

Interesi i investitorëve ishte përsëri i lartë dhe shuma e kërkesave në ankand arriti në 7.1 miliardë lekë, nga 3 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga MFE. Edhe në këtë rast, MFE vendosi ta rrisë shumën e pranuar me maksimumin e lejuar prej 15%, duke e çuar atë në 3.45 miliardë lekë.

Yield-et instrumenteve afatgjata tashmë dëshmojnë se tregu e ka kaluar fazën e pasigurisë që karakterizoi gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe se pritshmëritë për inflacionin dhe lëvizjet e politikës monetare janë dukshëm më të qëndrueshme. Madje, as rritja e normës bazë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në fund të muajit mars, me 0.25 pikë përqindje, nuk ka sjellë një rritje të yield-eve.

Tejkalimi i pasigurisë ka ndikuar si shkallën e pjesëmarrjes në ankandet e titujve qeveritarë, ashtu edhe yield-et e kërkuara për të financuar borxhin e qeverisë shqiptare. Likuiditeti i lartë në sektorin financiar po luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në uljen e yield-eve, duke rritur konkurrencën mes investitorëve për bonot dhe obligacionet qeveritare. Pothuajse për të gjitha instrumentet e borxhit, rritja vjetore e yield-eve është tashmë më e ulët se rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë.

Stabilizimi i tregut të bonove dhe obligacioneve qeveritare është një tregues pozitiv edhe për huamarrësit privatë. Rritja e shpejtë e yield-eve në gjysmën e dytë të vitit 2022 ishte përcjellë në rritje të shpejtë edhe të interesave të kredive të bizneseve dhe familjeve.

Efekti ishte veçanërisht i fortë për huatë ekzistuese me interesa të ndryshueshme, kur në harkun e një viti interesi total u rrit me më shumë se katër pikë përqindje, pikërisht për shkak të rritjes së yield-eve, kryesisht të Bonove 12-mujore.

Ndërkohë, rritja e normës bazë dhe e yield-eve është reflektuar edhe në norma më të larta interesi për kreditë e reja. Ecuria më e stabilizuar e yield-eve gjatë vitit 2023 po ndihmon në uljen e pasigurisë në tregun financiar, duke zbutur efektet e ciklit të normalizimit monetar.

Marrë nga Monitor.al

yieldet e bonove

Sondazh

Poll