Sport

Babai i Ansu Fatit i revoltuar, kërkon që djali i tij të largohet nga Barcelona... (video)

Në një intervistë për Cadena Cope mbrëmjen e së martës, Bori Fati, babai i Ansu, ka folur për situatën e djalit të tij, i cili nuk luan mjaftueshëm sipas tij te Barça. “Jam shumë i zemëruar me klubin,” është shprehur ai.

29 Mars 2023, 11:21 Nga DOSJA
Babai i Ansu Fatit i revoltuar, kërkon që djali i tij të largohet

SPANJE - Anësori Ansu Fati (20 vjeç, me kontratë deri në 2027) ka luajtur 38 ndeshje këtë sezon me Barçën (6 gola dhe 3 asistime në të gjitha garat). Megjithatë, ai nuk konsiderohet titullar për trajnerin Xavi, i cili e ka futur vetëm 11 herë në formacionin e tij si titullar.

Një situatë e paimagjinueshme për Borin, babain e tij, i cili foli mbrëmjen e së martës në antenat e Cadena Cope: “I thashë Ansusë se do të ishte më mirë të largohej. Por ai u përgjigj se nuk ishte dakord me mua në këtë pikë. Ai dëshiron të vazhdojë te Barça. Ai ndihet shumë Culé, ai është stërvitur në La Masia”.

Shumë i mërzitur ndaj drejtuesve të Barcelonës, babai i talentit shkoi një hap më tej, duke shpjeguar arsyet e pakënaqësisë së tij ndaj klubit: “Nuk do të shkoj më në stadium, jam shumë i zemëruar me klubin. Po flasim për numrin ‘10’ të Barçës, një ndërkombëtar për kombëtaren e Spanjës. 

Më shqetëson që i japin një minutë, dy minuta ose tre minuta. Sulmuesit që janë aty janë fenomenalë, por ai është Ansu Fati, lojtar i kombëtares spanjole, nuk është thjeshtë një djalë. Ai është një djalë që ka dalë nga Masia. Mendoj se ne meritojmë shumë më tepër, sepse Ansu luajti me ‘blaugranët’ para se të lëndohej dhe kur në skuadër ishin Messi, Griezmann e Suarez”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll