Bota

Analiza e Reuters: Erdogan përballë provës së madhe zgjedhore

Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim, me bazë islamike, e kanë larguar Turqinë nga plani laik i Kemal Ataturkut, udhëheqësi që ka themeluar Republikën moderne të Turqisë një shekull më parë. Kritikët thonë se Qeveria e Erdoganit ka shtypur mospajtimet, ka kufizuar të drejtat e njeriut dhe ka vënë nën kontroll sistemin gjyqësor. Zyrtarët i hedhin poshtë këto akuza, duke u shprehur se Qeveria i ka mbrojtur qytetarët përballë kërcënimeve të sigurisë, përfshirë një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016

22 Mars 2023, 21:57 Nga DOSJA
Analiza e Reuters: Erdogan përballë provës së madhe
Recep Tayip Erdogan

TURQI- Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, do të përballet me provën më të madhe të udhëheqjes së tij 20-vjeçare në zgjedhjet e muajit maj, kur do të vendoset jo vetëm se kush do ta udhëheqë Turqinë, por edhe si do të qeveriset ajo, ekonomia e saj dhe çfarë roli mund të luajë Turqia për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Votimet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen më 14 maj, tre muaj pas tërmeteve të fuqishme që goditën pjesën juglindore të Turqisë, duke lënë të vdekur dhjetëra mijëra njerëz dhe miliona të tjerë, të pastrehë.

Opozita ka zgjedhur si kandidat të sajin presidencial Kemal Kilicdaroglun, udhëheqës i Partisë Popullore Republikane (CHP), dhe ka formuar një aleancë që synon të tërheqë votues nga e majta dhe e djathta. Opozita premton se do t’i ndryshojë shumë politikat e Erdoganit, i cili ka mbrojtur devotshmërinë fetare dhe diplomacinë e mbështetur nga ushtria.

Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim, me bazë islamike, e kanë larguar Turqinë nga plani laik i Kemal Ataturkut, udhëheqësi që ka themeluar Republikën moderne të Turqisë një shekull më parë. Kritikët thonë se Qeveria e Erdoganit ka shtypur mospajtimet, ka kufizuar të drejtat e njeriut dhe ka vënë nën kontroll sistemin gjyqësor. Zyrtarët i hedhin poshtë këto akuza, duke u shprehur se Qeveria i ka mbrojtur qytetarët përballë kërcënimeve të sigurisë, përfshirë një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016.

Ekonomistët thonë se thirrjet e Erdoganit për norma të ulëta interesi e kanë çuar inflacionin në 85% vitin e kaluar, niveli më i lartë në 24 vjet. Me Erdoganin në krye, Turqia ka shpërndarë fuqinë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, duke nisur katër inkursione në Siri, duke kryer një ofensivë kundër militantëve kurdë brenda Irakut dhe duke dërguar mbështetje ushtarake në Libi dhe Azerbajxhan.

Turqia ka pasur dhe një seri përplasjesh diplomatike me fuqitë rajonale: Arabinë Saudite, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraelin, si dhe një përplasje me Greqinë e Qipron për kufijtë detarë në Mesdhe. Dy vjet më parë ka ndryshuar qëndrim dhe ka bërë përpjekje të afrohet me disa nga rivalët e saj.

Erdogan ka blerë sisteme ruse të mbrojtjes ajrore, duke bërë që të 'fitojë' disa sanksione nga SHBA-të. Afërsia me presidentin rus, Vladimir Putin, ka bërë që kritikët ta vënë në dyshim përkushtimin e Turqisë ndaj aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s. Kundërshtimet e Ankarasë ndaj aplikimeve të Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO i kanë rritur, po ashtu, tensionet. Megjithatë, Turqia ka ndërmjetësuar një marrëveshje për eksportet ukrainase të grurit, duke nxjerrë në pah rolin që mund ta luajë Erdogani në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Dy partitë kryesore të opozitës, Partia laike Republikane Popullore (CHP) dhe Partia nacionaliste e qendrës së djathtë IYI, janë bashkuar nga katër parti më të vogla nën një platformë, që do të ndryshonte shumë nga politikat e Erdoganit. Ato janë zotuar se do t’ia rikthejnë pavarësinë Bankës Qendrore dhe se do t’i ndryshojnë politikat ekonomike të Erdoganit.

Erdogan ka mbështetur përpjekjet e dështuara për të rrëzuar presidentin sirian, Bashar al-Assad, ndërsa ka strehuar së paku 3.6 milionë refugjatë sirianë në Turqi. Opozita u ka bërë jehonë planeve të Erdoganit për të kthyer disa refugjatë sirianë, por asnjëra palë nuk ka treguar se si mund të bëhet kjo në një mënyrë të sigurt.

Dekada e parë e Erdoganit në pushtet është përshkuar me rritje ekonomike, ndërsa në dhjetë vjetët e fundit ka pasur rënie të prosperitetit. Sondazhet që janë bërë pas tërmeteve, kanë sugjeruar se Erdogani mund ta ruajë mbështetjen që ka, pavarësisht katastrofës. Por, shfaqja e një opozite të bashkuar mund të jetë një sfidë më e madhe për të, thonë analistët.

Se si mund ta sigurojë opozita mbështetjen mes votuesve kurdë, të cilët përbëjnë 15% të elektoratit, mbetet çështje kyçe. Bashkëdrejtuesi i Partisë Demokratike të Popullit (HDP) ka thënë se ata mund ta mbështesin Kilicdaroglun, vetëm nëse ai 'ulet' dhe 'flet hapur' me ta.

recep tayip erdogan zgjedhjet ne turqi

Sondazh

Poll