Sport

Vllaznia, ‘bileta’ e katërt e gjysmëfinaleve të Kupës. Partizani fitoi, por nuk mjaftoi…

Vllaznia siguron kualifikimin për në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku do të bashkohet dhe me Egnatian, Tiranën dhe Teutën. Shorti i fazës gjysmëfinale do të jetë i lirë.

15 Mars 2023, 20:24 Nga DOSJA

Vllaznia, ‘bileta’ e katërt e gjysmëfinaleve të

TIRANE - Janë mbyllur ndeshjet e fazës çerekfinale të Kupës së 71-të të Shqipërisë. Vllaznia, fituese e Kupës së Shqipërisë, sezonin e kaluar, është përsëri gjysmëfinaliste e këtij eventi të futbollit shqiptar.

Partizani, në ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve, fitoi por nuk ia doli të kualifikohet për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. ‘Të kuqtë’ mposhtën 1-0 Vllazninë, por janë shkodranët ata që avancojnë mes katër më të mirave, falë suksesit në takimin e parë me rezultatin 3-1 në ‘Loro Boriçi’.

Të besuarit e Collellës zhvilluan një ndeshje të mirë, prodhuan raste të shumta shënimi dhe kontrolluan për pjesën më të madhe mbajtjen e topit. Pas një sërë përpjekjesh në minutat e para, Partizani e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 25-të me anë të Alfred Mensah. Sulmuesi ishte në vendin e duhur për të përfituar nga një keqkuptim i prapavijës shkodrane dhe realizoi me portën e boshatisur.


‘Demat’ vijuan me sulmet e vazhdueshme edhe në pjesën e dytë të takimit dhe në minutën e 62-të shpërdoruan një mundësi ideale me Tedi Carën, i cili e detyroi portierin Qarri të bënte një mrekulli duke e dërguar topin mbi traversë.

Festa e Partizanit zgjati shumë pak tre minuta nga fundi i kohës së rregullt, teksa goli i Carës u anulua si pasojë e një faulli të shkaktuar nga Da Silva ndaj Erdenis Gurishtës, me VAR-in që u bë protagonist, duke i ardhur në ndihmë kryesorit Barjamaj.

Vllaznia ruajti me fanatizëm portën deri në fund dhe në këtë mënyrë siguron kualifikimin në fazën gjysmëfinale, ku do të bashkohet dhe me Egnatian, Tiranën dhe Teutën. Shorti i fazes gjysmëfinale do të jetë i lire.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll