Aktualitet

2 EMRAT- I përfshirë në atentatin ndaj Arjan Ndojës, kapet i shumëkërkuari në Abu Dhabi, Policia: Shkëmbyem informacione me Interpolin

I shumëkërkuari, pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal, i cili akuzohet se është i përfshirë në atentatin e planifikuar ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.

23 Shkurt 2023, 16:13 Nga k.m.
2 EMRAT- I përfshirë në atentatin ndaj Arjan Ndojës, kapet i
Foto ilustruese

DUBAI- Një prej autorëve të dyshuar në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë. I prangosuri është identifikuar si Dritan (Amar) Shkëmbi, 39-vjeç. I shumëkërkuari, pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal, i cili akuzohet se është i përfshirë në atentatin e planifikuar ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.

Sipas SPAK, Plarent Dervishaj, Julian Meçe dhe Amar Shkëmbi kanë qenë bashkëpunëtorë të të pandehurve Redian Rraja dhe Ariol Halilaj, pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se kanë marrë pjesë në atentatin që që në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është tentuar të vritet me armë zjarri prokurori Arjan Ndoj, ndërsa në mjet ishte me shoferin dhe me Aleksandër Lahon, i njohur si Rrumi i Shijakut. Si pasojë e të shtënave është plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në spital shoferi i prokurorit, Andi Maloku. 

NJOFTIMI I PLOTË:

Policia e Shtetit

Operacione policore ndërkombëtare të njëpasnjëshme, si rezultat i inteligjencës policore dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët. Finalizohet operacioni policor i koduar “Abu Dhabi”. Operacioni, nga Policia e Shtetit, SPAK-u dhe Interpol Abu Dhabi, në koordinim nga Qendra e Interpolit në Lyon, Francë. Kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, 39-vjeçari i shumëkërkuar, pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.

Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve përmes inteligjencës informative, me qëllim lokalizimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët, për kapjen dhe arrestimin e këtyre personave, me qëllim ekstradimin, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi/Emiratet e Bashkuara Arabe, në koordinim nga Qendra e Interpolit në Lyon, Francë, kanë shkëmbyer informacione për një shtetas shumë të kërkuar nga SPAK-u, i cili ndodhej në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Mbi bazën e informacioneve të marra nga Policia e Shtetit, homologët e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Abu Dhabi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit: A.(D.) Sh., 39 vjeç. GJKKO i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilesuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar krininal”. Në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi A. N., me detyrë prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, i cili qarkullonte me automjet, së bashku me 2 shtetas të tjerë. Si pasojë e të shtënave është plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë në spital shtetasi A. M. (shoferi i prokurorit) dhe ka mbetur i plagosur prokurori, shtetasi A. N. Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me të gjithë partnerët, për të bërë të mundur kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, kudo ku ata tentojnë të largohen për t’iu fshehur drejtësisë.

arrestohet amar shkembi

Sondazh

Poll