Aktualitet

Patenta shkon 85 mijë lekë/ “Bëhej pazar fiskal”, Blendi Gonxhe: Autoshkollat në degradim, do rrisim sigurinë, vdes çdo ditë 1 këmbësor

Blendi Gonxhe u shpreh se nëse më parë, qytetarët kanë paguar më pak, do të thotë se në kursin e autoshkollës nuk e kanë kryer programin e plotë. E po ashtu, ai deklaroi se rritja e çmimit të një patente në 85 mijë lekë, ka të bëjë me formalizimin e sektorit të autoshkollave.

18 Shkurt 2023, 17:14 Nga k.m.
Patenta shkon 85 mijë lekë/ “Bëhej pazar fiskal”,
Blendi Gonxhe

TIRANË- Marrja e një patente për drejtimin e makinës do të kushtojë 85 mijë lekë. Për Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, kjo nuk do të thotë se qytetarët do të paguajnë më shumë, por do të paguajnë për programin që do t’u ofrohet. Në një intervistë për Euronews Albania, Blendi Gonxhe u shpreh se nëse më parë, qytetarët kanë paguar më pak, do të thotë se në kursin e autoshkollës nuk e kanë kryer programin e plotë. E po ashtu, ai deklaroi se rritja e çmimit të një patente në 85 mijë lekë, ka të bëjë me formalizimin e sektorit të autoshkollave.

“Kjo nuk do të thotë që do të paguhen më shumë, kjo do të thotë që do të paguajnë tamam. Do paguajnë atë që duhet të paguajnë, që të bëjnë programin. Kjo do të thotë që nëse kanë paguar më pak më përpara, kanë paguar se nuk e kanë bërë programin, kanë bërë një kurs gjysmak. Janë të gjitha institucionet në këtë betejë, ky është një problem që është ngritur nga DPT, në raport me Shoqatën e Autoshkollave, sepse ka vite, nga viti 2019 që unë jam në këtë detyrë, që luftojmë që të normalizojmë sektorin,”- theksoi ai.

Blendi Gonxhe u shpreh se më parë bëhej pazar fiskal, pasi kishte informalitet. Por ndër të tjera shton se rritja e çmimit bëhet me qëllimin për të rritur sigurinë rrugore.

“Nuk ka rritje në kuptimin mësimor dhe të programit, ka vetëm formalizim të këtij procesi. Ky formalizim, ky fiskalizim, sjell automatikisht që atë që bënin një pjesë e autoshkollave korrekte, që e kanë faturuar korrektësisht mësimin, duhet ta bëjnë tani, minimalisht të gjitha autoshkollat e tjera. Duhet të vijmë në një pozitë ku të jenë të barabarta në kosto minimale, pa të cilën, ato që konkurrojnë nën këto kosto, prishin tregun. Do të thotë që rrezikojnë sigurinë rrugore, jetën tonë.

Nuk ka rritje në kuadrin e programit, ka formalizim të procesit. Ky fiskalizim dhe formalizim sjell atë që e kanë bërë në mënyrë korrekte disa autoshkolla që e kanë faturuar sa duhet, tani do ta bëjnë të gjitha autoshkollat. Ato që konkurrojnë nën kosto prishin tregun që do të thotë kërcënojnë sigurinë rrugore dhe rrezikojnë jetën tonë. Ky është një shqetësim i përditshëm dhe shkurti ka nisur çdo ditë me një këmbësor të vdekur në vijat e bardha. Këtu bëhet fjalë për të mbrojtur sigurinë rrugore dhe jetën e njerëzve,”-tha Gonxhe. 

Nga 10 marsi, për të marrë një leje drejtimi të kategorisë B qytetarët këtë vit do duhet të paguajnë minimum nga 85 mijë Lekë. Ky dyfishim i çmimit vjen pas një marrëveshjeje të nënshkruar nga DPSHTRR, DPT dhe shoqata e autoshkollave, që kanë dakordësuar çmimet minimale të unifikuara për orët teorike dhe praktike. Nga marsi, një seancë mësimore në praktikë në autoshkolla do të kushtojë minimumi 500 Lekë, ndërsa një seancë praktike 935 Lekë.

blendi gonxhe dyfishimi i cmimit te patentes

Sondazh

Poll