Bota

Tërmeti tragjik në Turqi, burri shpëtohet pas 167 orësh nën rrënoja, përqafon punonjësit dhe u shtrëngon duart

Pas 167 orësh, një burrë u shpëtua nga rrënojat në Antakya, në provincën Hatay të Turqisë jugore.

13 Shkurt 2023, 09:04 Nga F.M
Tërmeti tragjik në Turqi, burri shpëtohet pas 167 orësh
Turqi

TURQI- Një javë pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë, ekipet janë ende duke nxituar për të shpëtuar viktimat që mund të jenë gjallë nën rrënoja, edhe pse agjencitë e ndihmës dhe autoritetet paralajmëruan se shanset për të gjetur të mbijetuar po bëhen gjithnjë e më të vogla.

Pas 167 orësh, një burrë u shpëtua nga rrënojat në Antakya, në provincën Hatay të Turqisë jugore. Burri është filmuar duke u ngritur nga punonjësit e shpëtimit, të cilët më pas i përqafon dhe u shtrëngon duart.

Më herët të dielën, një grua 55-vjeçare u nxor nga rrënojat pas 159 orësh, ndërsa një grua 85-vjeçare u shpëtua pas 152 orësh e bllokuar në atë që nipi i saj e përshkroi si një zgavër rreth 30-40 centimetra e gjerë.

Dy persona, një burrë 25-vjeçar sirian dhe një fëmijë, u shpëtuan gjithashtu në Hatay rreth 151 dhe 152 orë pas goditjes së tërmetit.

Dy tërmete shkatërruese goditën të hënën pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Tërmeti kryesor u pasua nga dhjetëra pasgoditje. Sipas informacioneve të fundit, më shumë se 34,000 njerëz kanë vdekur dhe shifra pritet të vazhdojë të rritet. Fillimisht jugu i Turqisë u godit nga një tërmet me magnitudë 7.8 gradë të shkallës Rihter dhe u ndje në disa vende të rajonit dhe përveç njerëzve në Turqi, viktimat më të shumta ishin në Sirinë fqinje.

termet ne turqi

Sondazh

Poll