Sport

Kupa e Shqipërisë/ Nuk ka surpriza, “të mëdhenjtë tregojnë dhëmbët”, mësohen 6 çerekfinalistët e parë…

Sot janë luajtur gjashtë ndeshjet e kthimit të 1/16-ave. Nesër do të luhen edhe takimet Vllaznia-Bylis (2-0) dhe Teuta-Erzeni (1-1).

2 Shkurt 2023, 17:42 Nga DOSJA
Kupa e Shqipërisë/ Nuk ka surpriza, “të mëdhenjtë

TIRANE - Janë mësuar gjashtë skuadrat e para të raundit çerekfinal të Kupës së 71-të Shqipërisë. Tirana fitoi 1-0 ndaj Lushnjes me golin e Regi Lushkjes, i pari për të me bardheblutë dhe kaloi në raundin pasardhës me rezultatin e përgjithshëm 4-0.

Partizani shënoi sërish tre gola ndaj Korabit, “Të kuqtë” fituan 3-0 falë golave të Eljon Sotës, brazilianit Da Silva dhe Engjëll Hotit, duke u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 6-1.

Kukësi e mbylli në barazim pa gola takimin e parë ndaj Apolonisë, ndërkohë që sot fitoi 5-0. Ergys Peposhi shënoi në pjesën e parë, ndërsa në të dytën erdhën golat e Fluturim Domit (2 gola), Gabriel Barbosas dhe Jakup Berishës.

Laçi mposhti 2-1 Tomorin, ku golat për kurbinasit u realizuan nga Santino Biba dhe Olsi Myrta. Bardhezinjtë kishin fituar 3-1 edhe sfidën e parë.

Egnatia-Skënderbeu përfundoi në barazim 1-1. Autogoli i Michael Agbekpornu i dhuroi avantazhin skuadrës korçare, por vendasit barazuan në pjesën e dytë falë golit Fernando Medeiros. Në fund festoi Egnatia pas fitores 0-1 në transfertë.

Kastrioti-Dinamo nuk prodhoi gola. Ekipi krutan u kualifikua në raundin çerekfinal pas fitores 3-1 në ndeshjen e parë. Nesër luhen takimet Vllaznia-Bylis (2-0) dhe Teuta-Erzeni (1-1).

Sakaq, sipas shortit të hedhur më pare, janë mësuar edhe çiftet për ndeshjet çerekfinale. Partizani pret të mësojë se kush është kundërshtari i tij nga grupi A, në përfundim të sfidës së nesërme mes Vllaznisë dhe Bylisit.

Ndërsa në grupin B, Kukësi është ai i cili do të shohë me shumë interes sfidën Teuta-Erzeni, pasi aty do të dalë emri i kundërshtarit që do të ketë përballë.

Ja dhe kalendari i ndeshjeve çerekfinale
GRUPI A
Kastrioti - Tirana
Vllaznia/Bylis - Partizani

GRUPI B
Egnatia - Laçi
Teuta/Erzeni - Kukësi

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll