Bota

Kryeministri kroat del kundër presidentit për deklaratat ndaj Kosovës: Askush nuk e ka aneksuar, është shtet sovran

Pas seancës së Kryesisë së Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), Plenkoviç tha se është e rëndësishme që Kosova të jetë një vend i pavarur me të cilin Kroacia ka marrëdhënie diplomatike. 

30 Janar 2023, 20:22 Nga a.l
Kryeministri kroat del kundër presidentit për deklaratat ndaj
Andrej Plenkoviç

KOSOVË- Deklarata e presidentit kroat, Zoran Milanoviç, i cili tha se “Kosova është marrë nga Serbia”, ka sjellë reagime të shumta dhe kritika në Kroaci. Së fundmi për këtë deklaratë ka reaguar edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, i cili ka thënë se Kroacia e ka njohur Kosovën dhe se është shtet sovran, duke kundërshtuar deklaratën e Milanoviç, shkruajnë mediat kroate. 

"Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rrejshëm dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, që e kemi njohur. Askush nuk e ka aneksuar“, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Pas seancës së Kryesisë së Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), Plenkoviç tha se është e rëndësishme që Kosova të jetë një vend i pavarur me të cilin Kroacia ka marrëdhënie diplomatike. 

Ajo që është e rëndësishme është që Kosova është shtet i pavarur me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike, se ministri ynë (Ekonomia dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm) Davor Filipoviç ka qenë në Kosovë, se me të kanë shkuar rreth 50 biznesmenë tanë”, ka thënë Plenkoviç. 

Deklarata e Presidentit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka mbajtur një konferencë për media në Petrinja, nga ku foli për luftën në Ukrainë, duke u shprehur kundër dërgimit të armëve atje. Ndër tjerash, ai gjeti shkas të flasë edhe për Kosovën, duke thënë se ajo u aneksua nga bashkësia ndërkombëtare. Tani, sipas Milanoviçit, Rusia po e bën të njëjtën në Ukrainë.

(Kosova) është rrëmbyer nga Serbia. Kosova është marrë nga Serbia, a është kështu? A e kemi njohur Kosovën, po e kemi njohur. Unë jam prapa Kosovës, por pasi kjo është bërë njëherë (aneksimi), pra pa vullnetin e shtetit (Serbisë), të cilës Kosova i ka takuar e kjo ka qenë Serbia, respektivisht Jugosllavia, e cila për ne nuk është shtet mik dhe as që jemi brengosur për ta, ka qenë vetëm çështje kohe se kur Rusia apo dikush tjetër do të bëjë të njëjtën dhe kjo tani po ndodh”, ka thënë ai.

Presidenti kroat vazhdoi më tej dhe dikur tha se nuk është në pyetje kontestimi i Kosovës. Deklaratat kanë shkaktuar reagime si nga pala kroate ashtu edhe Kosovare. 

andrej plenkoviç

Sondazh

Poll