Sport

Abissnet Superiore/ Partizani ka harruar të fitojë, Teuta nuk di të ndalet. Kukësi i largohet fundit në fushën e Egnatias…

Nën drejtimin e Edi Martinit, Teuta ka marrë 13 pikë nga 18 pikë të mundshme. Nga ana tjetër, Partizani vijon të lëshojë terren dhe me një pikë në tri ndeshjet e fundit

26 Janar 2023, 18:26 Nga DOSJA

Abissnet Superiore/ Partizani ka harruar të fitojë, Teuta nuk di

TIRANE - Partizani harron si fitohet. “Të kuqtë” e drejtuar nga Giovanni Colella nuk marrin tre pikët që prej 21 dhjetorit në derbin ndaj Tiranës, teksa pasditen e sotme janë mposhtur në shtëpi 0-2 nga Teuta.

Në sfidën kur pritej kthesa dhe tentativa për të rimarrë kreun, kryeqytetasit zhgënjyen totalisht përballë një Teute, që nën drejtimin e Edi Martinit ka rilindur dhe jo vetëm i është larguar fundit, por po sheh edhe nga Europa.

Dy gola “ish”-ësh hodhën në tapet Partizanin, teksa në pjesën e parë ishte Albion Marku (40’) që lëshoi një goditje spektakolare me të majtën dhe ndali topin në trekëndëshin e portës së Alban Hoxhës.

Më pas, në të dytin ishte radha e fantazistit Sherif Kallaku (64’), i rikthyer te Teuta vetëm pak ditë më parë, që të shënonte edhe golin e dytë, këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë, me një ekzekutim të saktë.

Me këtë fitore, “Djemtë e Detit” ngjiten në kuotën e 21 pikëve, vetëm 5 më pak se Egnatia e vendit të katërt, teksa vlen të theksohet se nën drejtimin e Edi Martinit, Teuta ka marrë 13 pikë nga 18 pikë të mundshme.

Nga ana tjetër, Partizani vijon të lëshojë terren dhe me një pikë në tri ndeshjet e fundit, jo vetëm që ka lëshuar kreun, por i ka dhënë “asist” Tiranës që të shkëputet edhe më shumë, nëse merr maksimumin ndaj Erzenit mbrëmjen e sotme.

Abissnet Superiore/ Partizani ka harruar të fitojë, Teuta nuk di

Kukësi arriti një fitore të rëndësishme 1-2 përballë Egnatias në stadiumin “Arena Egnatia”. Ekipi i Rrahman Hallaçit triumfoi me përmbysje dhe përkohësisht i largohet vendit të fundit në renditjen e Superiores.

Skuadra nga Rrogozhina humbi një shans të mirë për t’u ngjitur në vendin e tretë, ndërkohë që regjistroi ndeshjen e tretë pa fitore në fushën e vet.

Egnatia fitoi një penallti në minutën e 35-të, të cilën e ekzekutoi saktë braziliani Fernando. Kukësi reagoi në pjesën e dytë, shënoi dy gola dhe u rikthye në shtëpi me tri pikë të arta.

Barazimi erdhi në minutën e 70-të, moment kur gjuajtja e Edison Ndrecës u devijua në portën e tij nga Renato Malota. Verilindorët morën zemër dhe katër minuta nga fundi gjetën golin e fitores. Boshnjaku Mirza Delimedjac, i cili u fut në fushë në mesin e pjesës së dytë, realizoi një gol të bukur dhe i dhuroi triumfin e shumëpritur skuadrës së tij.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll