Bota

Sarrazin: Kriza politike dhe kushtetuese po e distancon Malin e Zi nga Bashkimi Evropian

Sarrazin, i cili po qëndron për vizitë në Malin e Zi, u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi që jo më vonë se fillimi i muajit shkurt të zgjedhin gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të lënë anash interesat ditore politike për të mirën e vendit.

19 Janar 2023, 10:26 Nga I.A
Sarrazin: Kriza politike dhe kushtetuese po e distancon Malin e Zi nga Bashkimi
Manuel Sarrazin

MALI I ZI- I dërguari i qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha të mërkurën se kriza aktuale politike dhe kushtetuese në Mal të Zi përbën një kërcënim për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Sarrazin, i cili po qëndron për vizitë në Malin e Zi, u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi që jo më vonë se fillimi i muajit shkurt të zgjedhin gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të lënë anash interesat ditore politike për të mirën e vendit.

“Mund të përsëris vetëm se një Gjykatë Kushtetuese funksionale është jashtëzakonisht e rëndësishme për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Mal të Zi. I takon Kuvendit të Malit të Zi që të rikthejë funksionalitetin e asaj gjykate sa më shpejt duke zgjedhur gjyqtarë për të siguruar një gjyqësor efikas”, tha Sarrazin.

Ai shtoi se pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale, gjyqësori i Malit të Zi mbetet i paralizuar, dhe sundimi i ligjit është thellësisht i dobësuar, raporton Fena, duke iu referuar Radio Televizionit të Malit të Zi (RTCG). Sipas tij, shumica dërrmuese e qytetarëve malazezë duan që vendi i tyre të anëtarësohet në BE dhe kriza aktuale politike dhe kushtetuese përbën një kërcënim për arritjen e këtij qëllimi.

“Vizita ime në Mal të Zi synon të shikojmë të ardhmen së bashku. Prandaj dua të hyj në një dialog intensiv direkt me deputetët, partitë politike dhe vendimmarrësit, por edhe me ekspertë të shoqërisë civile”, tha Sarrazin.

Që nga 13 shtatori i vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi ka vetëm tre nga shtatë gjyqtarë dhe Kuvendi i Malit të Zi nuk i zgjodhi katër gjyqtarët e munguar në dy raunde të votimit. Komisioni Kushtetues i Kuvendit të mërkurën vijon dëgjimin e kandidatëve që aplikuan në konkursin për zgjedhjen e katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

manuel sarrazin

Sondazh

Poll