Ekonomi

Komisionet e ndërmjetësimit për sigurimet e detyrueshme motorike ranë ndjeshëm vitin e kaluar

Në fund të vitit 2021, AMF miratoi rregulloren “Për komisionet e ndërmjetësimit”, që parashikonte se prej 1 janarit 2022, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikonin komisione ndërmjetësimi më të lartë se 20% e primit të shkruar bruto.

17 Janar 2023, 07:24 Nga DOSJA
Komisionet e ndërmjetësimit për sigurimet e detyrueshme motorike
Foto Ilustruese

TIRANË- Kufizimi me rregullore i komisioneve të ndërmjetësimit për sigurimet e detyrueshme motorike ka sjellë një ulje të ndjeshme të ndjeshme të nivelit të tyre mesatar. Sipas informacioneve nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vitin e kaluar komisionet e ndërmjetësimit janë ulur në një mesatare tregu prej 17.5%, nga mbi 27% që ishin përpara hyrjes në fuqi të rregullores së AMF-së, në janar 2022.

Në fund të vitit 2021, AMF miratoi rregulloren “Për komisionet e ndërmjetësimit”, që parashikonte se prej 1 janarit 2022, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikonin komisione ndërmjetësimi më të lartë se 20% e primit të shkruar bruto.

Ndërkohë, duke filluar nga 1 janari i këtij viti, komisioni tavan është ulur më tej, në 18% të primit të shkruar bruto. Vendosja e niveleve tavan të komisioneve kishte synim të rriste eficiencën e shpenzimeve të kompanive të sigurimit të jo-jetës.

Në fakt, tregu shqiptar i sigurimeve ka pasur historikisht nivele shumë të larta të komisioneve të ndërmjetësimit dhe shpenzimeve të tjera të marrjes në sigurim në raport me tregjet e tjera në Europë. Madje, në shumicën e rasteve shpenzimet e marrjes në sigurim tejkalonin shpenzimet neto për dëme të paguara.

Sigurimet e detyrueshme motorike kanë një peshë shumë të lartë në strukturën e primeve të shkruara bruto në sigurimet e Jo-jetës. Për 11-mujorin 2022, sigurimi i brendshëm TPL, Kartoni Jeshil dhe Polica Kufitare përbënin më shumë se 67% të primeve të shkruara bruto të këtij tregu.

Ulja e nivelit të komisioneve të paguara për këto produkte ka pasur rrjedhimisht një ndikim të konsiderueshëm në nivelin e shpenzimeve të marrjes në sigurim nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës.

Statistikat financiare të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare janë të disponueshme deri në fund të 9-mujorit 2022. Për këtë periudhë, shpenzimet e marrjes në sigurim të kompanive kanë pësuar rënie me 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pavarësisht se primet e shkruara bruto janë rritur me 8.5%. Shpenzimet e marrjes në sigurim konsistojnë kryesisht në komisione për shitjen e produkteve të sigurimit.

Diferencat janë të dukshme edhe në krahasimin mes shpenzimeve të marrjes në sigurim dhe shpenzimeve neto për dëme. Për 9-mujorin 2021, shpenzimet e marrjes në sigurim arritën në 3.88 miliardë lekë, shumë kjo 12.6% më e lartë krahasuar me shpenzimet neto për dëme.

Ndërkohë, për 9-mujorin 2022 raportet kanë ndryshuar. Shpenzimet e marrjes në sigurim zbritën në 3.72 miliardë lekë, shumë kjo 4.2% më e ulët se shpenzimet neto për dëme të paguara në të njëjtën periudhë. /E.Shehu

Marrë nga Monitor.al

autoriteti i mbikëqyrjes financiare

Sondazh

Poll