Bota

"Leva e Moskës"/ Zyrtari i DASH, Dereck Chollet: Serbia duhet të pranojë sovranitetin e Kosovës, Kurtit i kërkova me urgjencë Asociacionin e komunave

Zyrtari amerikan saktëson se për një gjë të tillë është e nevojshme që të dyja palët të tregojnë gatishmëri për kompromise.

14 Janar 2023, 18:06 Nga F.M
"Leva e Moskës"/ Zyrtari i DASH, Dereck Chollet: Serbia duhet
Derek Chollet

TIRANË- Këshilltari special i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet thotë se serbët do të duhet të pranojnë një nivel të caktuar të sovranitetit dhe Kosova duhet t’u japë autonomi më të madhe serbëve të Kosovës, veçanërisht Asociacionin për komunat me shumicë serbe në Kosovë. Në një intervistë për FT, Chollet thotë se hapi i parë i nisjes së një dialogu, do të ishte që Serbia dhe Kosova të normalizojnë marrëdhëniet, edhe pa njohje të plotë reciproke, siç kanë bërë vendet e tjera. Zyrtari amerikan saktëson se për një gjë të tillë është e nevojshme që të dyja palët të tregojnë gatishmëri për kompromise.

“Të paktën si hap fillestar, është një mënyrë për ta vendosur Kosovën në rrugën euroatlantike në të cilën duam ta shohim atë. Ndërsa serbët përfundimisht do të duhet të pranojnë njëfarë niveli sovraniteti, Kosova duhet t’u japë qytetarëve të saj serbë autonomi më të madhe, veçanërisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. I kam thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në takimin e fundit se me urgjencë duhet themeluar ky organ. Ata e kuptojnë rëndësinë e kësaj. Serbia ka kohë që është e varur nga burimet ruse të energjisë, por edhe se ka filluar të diversifikojë burimet e saja energjetike dhe të reduktojë varësinë prej Rusisë. Si rezultat, çështja e Kosovës mbeti “leva e fundit që Moska ka mbi Beogradin – aspekt që Uashingtoni nuk e ka harruar. Arsyeja pse ne duam të arrijmë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është që t’ia heqim atë levë prej dorës Rusisë. Nuk mendoj se duhet ta mbivlerësojmë këtë ndikim. Është e vërtetë, por e pranoj se nuk është kjo arsyeja pse po e bëjmë këtë. Gjëja e fundit që dikush prej nesh dëshiron tani është një krizë në këtë pjesë të botës, duke qenë se kemi krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, jo shumë larg nesh. Unë mendoj se ka një rrugë të mesme që mund ta arrijmë, përndryshe nuk do të investonim,”- tha diplomati.

Dereck Chollet, i cili qëndroi në rajon në vitet 1990 si pjesë e ekipit të sekretarit të shtetit, Richard Holbrooke, vizitoi Beogradin dhe Prishtinën për herë të parë këtë javë, tani në cilësinë e këshilltarit special të Departamentit të Shtetit Amerikan. Ai zhvilloi takime me liderët e të dy palëve.

dereck chollet albin kurti dialogu kosove-serbi #aleksander vucic #vladimir putin #leter

Sondazh

Poll