Aktualitet

7 vite pas krimit/ Zbardhen fjalët e dëshmitarëve të vrasjes së Saimir Jakut, kushëriri: E gjeta të vdekur. Banakierja: S’ishte shumë i shëndoshë

Kushëriri, në rrëfimin e tij tregon se Saimir është habitur kur ka parë dy njerëz të veshur me të zeza që janë futur në lokal dhe kanë nisur të qëllojnë tek e tek drejt tyre.

11 Janar 2023, 20:22 Nga F.M
7 vite pas krimit/ Zbardhen fjalët e dëshmitarëve të vrasjes
Saimir Jaku

TIRANË- Shtatë vite pas vrasjes së ish-drejtorit të OST-së dhe njëkohësisht ish-anëtarit të Këshillit Bashkiak si përfaqësues i PS-së, Saimir Jaku janë zbardhur dhe dëshmitë e dëshmitarëve në vendin e krimit. Emisioni “Në shënjestër”, sjell dëshminë e kushëririt të Saimir Jakut, banakieres së lokalit dhe një klienti rastësor që pa skenën e krimit. Kushëriri, në rrëfimin e tij tregon se Saimir është habitur kur ka parë dy njerëz të veshur me të zeza që janë futur në lokal dhe kanë nisur të qëllojnë tek e tek drejt tyre. Banakierja dhe klienti tregojnë gjithashtu se çfarë panë nga autorët e krimit.

Kushëriri i Saimir Jakut

Saimiri ishte duke parë diçka në telefon dhe në atë moment e dëgjova kur pëshpëriti: ‘Ou po këta?’. Ktheva kokën dhe pashë se në lokal kishin hyrë dy persona të veshur kokë e këmbë me rroba të zeza dhe me maska në kokë. Njëri kishte drejtimin nga ne, kurse tjetri ishte me kurriz dhe po kontrollonte vendin. Ata filluan të qëllojnë me armë zjarri tek e tek. Njëri nga personat u afrua te Saimiri dhe e qëlloi drejtpërdrejtë me armë zjarri. Në këtë moment mbaj mend se këtë person e qëllova me shkelm në trup dhe ai për momentin u mënjanua, ku më duket se i lëvizi arma nga dora. Më pas u hodha nga shkallët e verandës së lokalit dhe ika poshtë në anën jugore. Ndërkohë krismat e armës vazhdonin përsëri. Kam rënë poshtë në rrugë dhe aty kam parë një polic, më pas kam shkuar tek dyqani i xhaxhait tim. Aty ishte babai im dhe xhaxhait dhe u tregova se çfarë kishte ndodhur. Të tre jemi nisur në drejtim të lokalit dhe pamë që kishin vrarë Saimirin. Unë di që Saimirin e kanë qëlluar para 3 vitesh tek karburanti ‘Start’ në dalje të qytetit të Rrëshenit. Po kështu di se para 6-7 muajsh ka pasur konflikt në qytet me Gaspër Reçin ku janë rrahur me grushte. Me Gasprin nuk e di për çfarë janë konfliktuar. Mesa di unë, nuk ka pasur konflikte me njerëz të tjerë. Nuk kam dijeni kush ka qenë i interesuar dhe kush e ka vrarë Saimirin”.

Dëshmitari V.Lleshi

Më 9 Shtator 2016, rreth orës 09:00, dola nga shtëpia dhe me mjetin tim shkova  për të pirë kafe tek lokal ‘Mirdita’ që ndodhet në qendër të qytetit të Rrëshenit. Aty, ku u ula në një nga tavolinat në verandën e lokalit, bashkë me dy shokë të mi. Vetëm disa minuta pasi isha ulur, pashë një automjet ‘Mercedez Benz’ me ngjyrë të zezë, targat nuk i fiksova, i cili erdhi nga sheshi i qytetit dhe u ndal para lokal ‘F***’ që ndodhet përballë lokalit ku po pija kafe. Në këtë kohë, pashë një person të maskuar, me një armë të gjatë në dorë, që ngjiti shkallët e lokalit, i cili filloi të qëllojë fillimisht një nga një, më pas me breshëri. Pasi kryen krimin, automjeti me autorët u larguan në drejtim të Komisariatit të Policisë duke lëvizur ngadalë. Ajo që fiksova ishte se autori që qëlloi ishte trup gjatë dhe i dobët dhe mbante maskë në kokë. Me Saimir Jakun nuk kam pasur ndonjë konflikt. Që prej kohës kur ai u bë drejtor i OST për zonën e veriut, ai ka qëndruar më shumë në Tiranë dhe rrallë herë e kam parë në Rrëshen. Jo pa interes ishte edhe dëshmia që dha banakierja e lokalit ku ndodhi vrasja, e cila pavarësisht se mundi të shquajë veshjet e autorëve të krimit, nuk mundi të dallonte se kush ishin ata, për shkak të maskimit që ata kishin.

Banakierja

Unë jam banakiere në këtë lokal prej katër vitesh, ku shërbej zakonisht nga ora 06:30 deri në orën 14:30. Ditën e ngjarjes rreth orës 09:00, kujtoj se në lokal hyri Saimir Jaku, i cili është klient i rregullt. Ai u ul në tavolinë me A.T. dhe Gjergj Prengën. Rreth orës 09:30 dëgjova krisma armësh dhe kur ktheva kokën për të parë, vura re një person që kishte në dorë një armë të gjatë automatik i cili po qëllonte në drejtim të tavolinës së Saimir Jakut. Ky person kishte në kokë maskë më ngjyrë të errët, xhup gri sportiv, pantallona ngjyrë ushtarake. Si edhe kishte trup mesatar, jo shumë i shëndoshë.

Saimir Jaku u vra nga dy persona të maskuar, ndërkohë që Gjergj Prenga mbeti i plagosur lehtë. Në lokalin ku ndodhi ngjarja, në momentin kur dy personat kanë sulmuar me armë ka pasur dhe efektivë të komisariatit Rrëshen, i cili ndodhej vetëm 20 metra larg. Policët kanë parë personat që kanë qëlluar me armë, por askush nuk ka reaguar për të ndjekur apo ndaluar dy autorët e këtij krimi të rëndë, që tronditi qytetin e Rrëshenit. Gjatë vite me vonë, në korrik të vitit 2022 u arrestua Dorjan Keqi, 40-vjeç nga Kruja dhe sipas policisë dyshohet si vrasës me pagesë, i cili e ka kryer ekzekutimin e Jakut, në bashkëpunim me persona te tjerë. Ai u zbulua pasi u arrestua rastësisht i dehur në timon dhe gjurma e gishtit që u krahasua me atë të gjetur në një shkrepëse në vendin ku u dogj mjeti i autorëve të Jakut, ‘përputhi’ gjithçka dhe e çoi pas hekurave.

saimir jaku

Sondazh

Poll