Bota

Si është gjendja e serbëve që u plagosën, flasin mjekët, Lista Serbe paralajmëron protesta: Nesër mblidhemi në 12.00

Njëri djalë mori plagë në dorë, e tjetri në shpatull. 33-vjeçari Azem Kurtaj iku nga vendi i ngjarjes, por sërish u kap dhe do të përballet me drejtësinë.

7 Janar 2023, 18:39 Nga k.m.
Si është gjendja e serbëve që u plagosën, flasin
I mituri i plagosur

BEOGRAD - Kushërinjtë Stefan Stojanoviç, 11 vjeç dhe 21-vjeçari Millosh Stojanoviç, u plagosën dje në ditën e Krishtlindjeve në Gotovushë afër Shtërpacit në Republikën e Kosovës nga një efektiv i Forcave Speciale të Kosovsës. Në momentin e sulmit, fëmijët ishin duke ecur në anë të rrugës kur sulmuesi hapi zjarr ndaj tyre. Njëri djalë mori plagë në dorë, e tjetri në shpatull. 33-vjeçari Azem Kurtaj iku nga vendi i ngjarjes, por sërish u kap dhe do të përballet me drejtësinë.

Megjithatë serbët nuk mjaftohen me kaq. Lista Serbe ka ftuar të gjithë qytetarët në protestë në Shtërpac, për të ngritur zërin kundër kryeministrit Albin Kurti. Sipas njoftimit të tyre, protesta do të mbahet nesër në orën 12:00 në Shtërpac. Ndërkohë që do të protestohet, kirurgu Bozhidar Odaloviç tha sot në Graçanicë se djemtë serbë që u plagosën dje janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe stabël.

Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka kërkuar që të pandehurit A.K, t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh për plagosjen e dy të rinjëve serbë në Shtërpcë. Rasti është kualifikuar si “vrasje në tentativë”. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se i pandehuri me dashje ka tentuar që t’i privojë nga jeta dy të rinjtë pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur në çast.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 06 Janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, komuna Shtërpcë, me dashje ka tentuar që t’i privoj nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S., ku, pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës “Mossberg” dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentative” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së,”- thuhet në komunikatë.

Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi edhe se i pandehuri kishte shtënë pesë herë në ajër, një orë para plagosjes. Nëse një gjë e tillë provohet, mbi të do të rëndëojë një tjetër vepër penale. 

Xhaxhai i Kurtajt, Afrimi, në një bisedë për ‘Nacionalen’ tha se nipit të tij i ishte bllokuar rruga, ndaj ka qëlluar për vetëmbrojtje.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për rastin. Pak dimë edhe ne, por e dimë që iu ka blloku rruga edhe në mbrojtje ka gjuajtur. Ai (Azemi) ka qenë duke kalu andej. Arma sigurisht që ka qenë me leje,”- tha Afrim Kurtaj.

Komunikata e plotë:

Ferizaj, 07 Janar 2023 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.K., i cili me vendim të Proku​rorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja ne tentativë”. Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 06 Janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, komuna Shtërpcë, me dashje ka tentuar që t’i privoj nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S., ku, pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës “Mossberg” dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentative” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitiv të parë, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armën me leje të markës “Mossberg” model MC2C, kalibër 9X19mm, me të cilën ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367 paragrafi 1 të KPRK-së. Po ashtu, sipas Prokurorisë, ndaj të nëjtit ekziston dyshimi i bazuar se me 06 Janar 2023, rreth orës 13:00, në Brezovicë, komuna Shtërpcë, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij të markës “Golf V”, në pamundësi që të kyçet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, meqë aty kishte qenë një grumbull qytetarësh në rrugë, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revolen e markës “Mossberg” shtënë pesë herë në ajër, me çka ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 1 të KPRK-së.

stefan stojanoviç millosh stojanoviç azem kurtaj plagosen 2 serbe ne kosove

Sondazh

Poll