Ekonomi

Tatimet dhe BMP, shkëmbim informacioni për kontabilistët dhe audituesit ligjorë, forcohet kontrolli për pasqyrat financiare

Nga ana tjetër, Bordi i Mbikëqyrjes Publike thekson rëndësinë e bashkërendimit me Administratën Tatimore, duke patur në fokus riskun e shmangies nga detyrimet tatimore ose riskun e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit.

20 Dhjetor 2022, 07:31 Nga DOSJA
Tatimet dhe BMP, shkëmbim informacioni për kontabilistët dhe
Dritan Fino dhe Ceno Klosi

TIRANË- Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë lidhur së fundmi një marrëveshje bashkëpunimi, me synim shkëmbimin e informacioneve në fusha të ndryshme. Marrëveshja e firmosur nga z.Dritan Fino i BMP dhe z.Ceno Klosi nga DPT përmban disa pika dhe ka në fokus shkëmbimin e informacionit për veprimtarinë e kryer nga subjektet që mbajnë titullin “Auditues Ligjor” dhe “Kontabilist i Miratuar”, si dhe të profesioneve të tjera, të cilat bien ndesh me profesionin e kontabilistit të miratuar dhe audituesit ligjor.

Përmes këtij bashkëpunimi më të ngushtë, Administrata Tatimore pret të ketë një mënyrë më të fortë të kontrollit të cilësisë të Pasqyrave Financiare, duke kontrolluar subjektet certifikuese të tyre, dhe marrjen e masava të drejtpërdrejta ndaj shkeljeve të konstatuara, në bashkëpunim me BMP.

Nga ana tjetër, Bordi i Mbikëqyrjes Publike thekson rëndësinë e bashkërendimit me Administratën Tatimore, duke patur në fokus riskun e shmangies nga detyrimet tatimore ose riskun e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit.

Kryetari i Bordit, z.Dritan Fino thotë për “Monitor” se, “Marrëveshja me Tatimet i kushton rëndësi edhe atyre subjekteve që janë vlerësuar “dobët” ose “shumë dobët” nga kontrolli i cilësisë nga ana e BMP, me qëllim përfshirjen e tyre në bazën e riskut për ndjekjen e procedurave përkatëse për kontroll tatimor”.

Ndër të tjera marrëveshja parashikon realizimin e investigimeve të përbashkëta për të gjithë subjektet që ofrojnë shërbimet e Audituesit Ligjor ose Kontabilistit të Miratuar, por që nuk janë të pajisur me një licencë sipas legjislacionit në fuqi. Rëndësi i është kushtuar edhe bashkëpunimit me Hetimin Tatimor për ato raste që nga kontrolli i cilësisë ka rezultuar që ka indicie për fshehje të ardhurash ose evazion fiskal.

Marrë nga Monitor.al

dritan fino ceno klosi

Sondazh

Poll