Bota

Tensionet në veri, KFOR nis stërvitjen ushtarake për të garantuar sigurinë në rast krize

Në njoftimin e publikuar në faqen zyretare thuhet se stërvitja synon të trajnojë trupat e KFOR për të garantuar lirinë e lëvizjes në një situatë krize. Gjithashtu theksohet se në këto stërvitje do të përdoren automjete të rënda ushtarake dhe helikopterë.

18 Dhjetor 2022, 12:23 Nga d.a
Tensionet në veri, KFOR nis stërvitjen ushtarake për të
KFOR

KOSOVË- Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka njoftuar se në ditët në vijim do t’i nisë stërvitjet ushtarake pranë bazës në Novosellë.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyretare thuhet se stërvitja synon të trajnojë trupat e KFOR për të garantuar lirinë e lëvizjes në një situatë krize. Gjithashtu theksohet se në këto stërvitje do të përdoren automjete të rënda ushtarake dhe helikopterë.

“Stërvitja synon t’i trajnojë njësitë e KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes në një situatë reagimi ndaj krizave dhe do të konsistojë në një seri simulimesh taktike dhe aktivitete logjistike duke përdorur kolona ushtarake me automjete të rënda inxhinierike dhe helikopterë”, thuhet në njoftim.

 KFOR-i thotë se përmes stëvitjeve të rregullta teston të gjitha aftësitë e tij dhe ruan nivelin e nevojshëm të gatishmërisë operacionale të nevojshme për ta vazhduar përmbushjen e detyrave.

“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në fund të komunikatës.

Ditët e fundit misioni i KFOR ka marrë një kërkesë nga Serbia për të lejuar hyrjen në territorin e Kosovës të gati 1 mijë trupave policore dhe ushtarake serbe. Deri më tani nga KFOR është thënë se kërkesa e Serbisë është duke u shqyrtuar.

Kryeministri Albin Kurti vazhdon ta presë KFOR-in që t’i heqë shpejt barrikadat e vendosura të shtunën e javës së kaluar, të cilat i bllokuan rrugët kryesore që çojnë për në dy pikat kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak. Të dielën e javës që shkoi, Kurti tha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare se i ka kërkuar misionit të NATO-s në Kosovë që ta garantojë lëvizjen e lirë në veri.

tensione në veri të kosovës trupat e kfor-it në kosovë

Sondazh

Poll