Bota

Lajçak dhe Escobar sërish në Beograd, pritet të bisedojnë me Vuçiçin për situatën në veri të Kosovës

Takimet e diplomatëve me zyrtarët e Serbisë dhe Kosovës vijnë një ditë pas njoftimit se Qeveria e Serbisë do të vendosë të enjten t'i paraqesë kërkesë KFOR-it për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, gjë që SHBA-të dhe disa zyrtarë të BE-së e kundërshtojnë.

14 Dhjetor 2022, 09:23 Nga d.a.
Lajçak dhe Escobar sërish në Beograd, pritet të
Escobar dhe Lajcak

SERBI- Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, po qëndrojnë sot në Beograd.

Sipas Danas, takimet e diplomatëve me zyrtarët e Serbisë dhe Kosovës vijnë një ditë pas njoftimit se Qeveria e Serbisë do të vendosë të enjten t'i paraqesë kërkesë KFOR-it për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, gjë që SHBA-të dhe disa zyrtarë të BE-së e kundërshtojnë.

Dje, në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë, Escobar deklaroi se SHBA-ja “e hedh poshtë kategorikisht dhe nuk e përkrah fare” mundësinë e kthimit të forcave serbe në territorin e Kosovës. Ai tha se nuk pret që kjo të ndodhë dhe shtoi se Kosova ka “garanci shumë të forta të sigurisë nga SHBA-të”.

“Presim marrëveshje për Bashkimin e Komunave Serbe dhe progres në pranimin e planit franko-gjerman”, tha Escobar mbrëmë në Prishtinë, pas bisedimeve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ky qëndrim i Escobar-it për dërgimin e kërkesave në Kfor hasi në reagime të ashpra nga tabloidët dhe nuk u përmbajt as kryeministrja Ana Brnabiç, e cila ndoqi hapat e tyre dhe deklaroi se Escobar ka marrë rolin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe se ai. është një tjetër politikan që është kundër Rezolutës së vlefshme 1244.

Ajo ka pyetur në Twitter se nëse asnjë nga rezolutat dhe marrëveshjet nuk është e vlefshme, a duhet Serbia të ndjekë horoskopin e treshes së “Liderëve të Mëdhenj” për të ndihmuar në ruajtjen e paqes në botë.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha të hënën se Lajçak po vjen në Prishtinë dhe Beograd me një plan të përditësuar të paqes dhe se BE-ja është e gatshme të dërgojë përforcime në misionin e BE-së në Kosovë (EULEX). Për këtë arsye pritet që të tre zyrtarët të diskutojnë edhe për përmbajtjen e të ashtuquajturit plan franko-gjerman të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, si dhe mënyrat dhe dinamika e arritjes së marrëveshjes.

Sipas njoftimeve, Lajçak do të takohet privatisht me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pak para orës 13:00 dhe më pas do t'i bashkohet edhe Escobar. Pas takimeve nuk janë planifikuar deklarata për media. Eskobari në orën 16:00 në Beograd do të takohet edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.

Tensionet janë shtuar në veri të Kosovës, ku serbët kanë vendosur postblloqe pas arrestimit të fundit të ish-oficerit të policisë së Kosovës, Dejan Pantiç. Rrugët kryesore në veri të Kosovës janë të bllokuara, ndërsa në vendkalimet administrative Jarinje dhe Bërnjak nuk mund të kalohet as në këmbë. Tensionet në veri të Kosovës janë shtuar që nga largimi i përfaqësuesve të serbëve nga institucionet e Kosovës më 5 nëntor.

lajcak dhe escobar ne serbi tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll