Ekonomi

Rezerva e naftës, qeveria mund tërhiqet nga draftligji, po negociohet modeli ekzistues

Dokumenti i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë vlerëson se një paketë e re është duke u përgatitur që synon të përputhet me Detyrimet e Direktivës duke futur një sistem që do të ishte më shumë në përputhje me modelin aktual të bazuar në industri.

8 Dhjetor 2022, 07:11 Nga DOSJA
Rezerva e naftës, qeveria mund tërhiqet nga draftligji, po negociohet
Foto Ilustruese

TIRANË- Draftligji për krijimin e rezervës së naftës dhe menaxhimin e gjithçkaje nga një agjenci e dedikuar ndoshta nuk do të hyjë asnjëherë në fuqi. Pas rezistencës që u has lidhur me këtë draft projekti shtyhet prej vitesh dhe tashmë në tryezë është edhe opsioni që në fuqi të mbetet modeli aktual duke e plotësuar atë me dy rregullore të reja.

Dokumenti i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë vlerëson se një paketë e re është duke u përgatitur që synon të përputhet me Detyrimet e Direktivës duke futur një sistem që do të ishte më shumë në përputhje me modelin aktual të bazuar në industri.

“Ai përbëhet nga dy rregullore shtesë që përcaktojnë detyrimet e raportimit dhe mënyrën e llogaritjes së stoqeve minimale si dhe Plani Kombëtar i Reagimit. Shqipëria ende nuk ka vendosur nëse do ta miratojë projektligjin apo miratojnë dy rregulloret dhe kështu vazhdojnë me modelin ekzistues i lidhur me industrinë” thuhet në dokument.

Sekretariati sjell në vëmendje se dispozitat kryesore të Direktivës 98/70/KE u transpozuan në legjislacionin shqiptar nëpërmjet Vendimit të Qeverisë për Cilësinë e karburantit, benzinës dhe naftës. Legjislacioni për të siguruar që përmbajtja e squfurit në gazoilin për makineritë që nuk janë të rrugë të jetë më pak se 10 mg/kg nuk është miratuar ende. Ka një sistem për kontrollin e cilësisë së karburantit. Monitorimi i cilësisë së karburantit sigurohet nëpërmjet programeve vjetore të monitorimit.

Në fund Sekretariati ka rekomanduar që nëse Shqipëria për rezervën e naftës dëshiron të vazhdojë me të njëjtin model (industri lidhur), duhet të miratojë dy rregulloret e hartuara dhe të planin e ndërhyrjes. Rezerva e naftës për Shqipërinë duhet të jetë sa sasia e 90 ditëve importe neto ose 61 ditë konsum të brendshëm cilado nga këto nivele që është me e lartë.

Drafti për rezervat e sigurisë

Qeveria shqiptare në vitin 2019 hodhi për konsultim një projektligj që parashikonte pjesën e rezervave të sigurisë dhe ndryshimin e regjimit në raport me atë që aplikohet sot. Sipas shpjegimit të bërë në atë kohë në projektligj, këto rezerva janë sasitë e rezervave të naftës dhe nënprodukteve të saj të krijuara, për të siguruar një nivel të lartë të sigurisë së furnizimit të Republikës së Shqipërisë dhe për të përmbushur detyrimet e marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare. Ato mund të përdoren në kohë krizash prodhimi apo lufte.

I njëjti draft parashikonte se krijimi dhe mbajtja e rezervës së sigurisë do të ndahet mes industrisë dhe një enti publik. Ky i fundit do të ketë edhe shumicën e kësaj rezerve të paktën 60 ditë mesatare shitjeje, kurse kompanitë dhe rafineritë 30 ditë mesatare shitjeje.

Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë të Naftës është institucioni i ri që do të krijohej në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo e fundit do të funksionojë me vetëfinancim përmes një tarife që do të mblidhet në çdo një litër karburant tek rafineritë dhe shoqëritë e shumicës.

Pikërisht tarifa për agjencinë dhe mënyra si ishte konceptuar mbajtja e rezervës u kundërshtuan fort në atë kohë nga industria pasi sipas tyre rriste kostot e për rrjedhojë kjo do të përçohej edhe tek çmimi final.

Marrë nga Monitor.al

komuniteti i energjise shqiperi agjencia shtetërore e rezervave të sigurisë të naftës

Sondazh

Poll