Ekonomi

Kredia për biznesin: energjia, pasuritë e paluajtshme dhe hoteleria në rritje të shpejtë

Sektori që po shfaq ritmet më të larta të rritjes së kreditimit këtë vit është energjetika. Statistikat tregojnë se kredia e re për energjetikën në 10 muaj ka arritur vlerën e 15.35 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse tre herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

6 Dhjetor 2022, 08:10 Nga DOSJA
Kredia për biznesin: energjia, pasuritë e paluajtshme dhe hoteleria

TIRANË- Kredia për bizneset private këtë vit paraqitet në rritje të ndjeshme, pavarësisht një tendence ngadalësuese në dy muajt e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re për bizneset në 10 mujorin e këtij viti arriti vlerën e 151.3 miliardë lekë, në rritje me 16.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sektori që po shfaq ritmet më të larta të rritjes së kreditimit këtë vit është energjetika. Statistikat tregojnë se kredia e re për energjetikën në 10 muaj ka arritur vlerën e 15.35 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse tre herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në dekadën e fundit, sektori bankar ka mbështetur gjerësisht ciklin e investimeve në energjinë hidrike, në formën e projekteve koncesionare. Ndërkohë, së fundmi ka një interes shumë të lartë dhe në rritje për investime në energjinë diellore, interes që po rritet më tej pas sulmit të Rusisë mbi Ukrainën dhe pasigurisë së shtuar energjetike që ky sulm krijoi. Po t’i referohemi shifrave, duket se sektori bankar po shfaqet mjaft mbështetës në financimin e projekteve të reja të këtij sektori.

Një tjetër sektor me ritme të larta të rritjes së kredisë është ai i aktiviteteve të pasurive të paluajtshme. Megjithëse pesha e tij këtij sektori në kredi ngelet relativisht e ulët, vlera e kredisë së re në 10 muajt e këtij viti arriti në 1.76 miliardë lekë, 80% më shumë krahasuar me një vit më parë. Edhe sektori i ndërtimit vazhdon të thithë shuma në rritje të financimit nga sektori bankar.

Kredia e re e disbursuar gjatë këtij viti arriti në 30.6 miliardë lekë, në rritje me 11.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja në sektorët e mësipërm dëshmon që kredia bankare po orientohet në ata sektorë që perceptohen si më dinamikët gjatë ditëve të fundit.

Ndërkohë, rritje me ritme të larta po shfaq edhe kredia në sektorët e transportit dhe të hotelerisë. Gjallërimi i aktiviteti ekonomik pas pandemisë e vendosi sektorin e transporteve në nivel global përballë pamundësisë për t’iu përgjigjur rimëkëmbjes së shpejtë. Kjo dukuri mund të ketë nxitur rritjen e investimeve në këtë sektor dhe po t’i referohemi shifrave të kredisë bankare, një tendencë e tillë mund të lexohet edhe në tregun shqiptar. Kredia e re për sektorin e transportit dhe magazinimit është rritje vjetore prej 44%.

Rritje të ndjeshme të kredisë së re këtë vit po regjistron edhe sektori i hotelerisë. Këtë vit turizmi ka shënuar shifra rekord në drejtim të numrit të vizitorëve të huaj dhe vlerës së shpenzimeve të tyre në Shqipëri. Rikthimi i shpejtë i turizmit në ciklin e rritjes, pas pandemisë, është një faktor që nxit investimet e reja në struktura akomoduese. Kredia për këtë sektor në 10-mujorin 2022 u rrit me 36% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për sa i takon sektorëve të tjerë me peshë në ekonomi, ritme të mira të rritjes po shfaq edhe industria përpunuese, në rritje vjetore me 13%. Ndërkohë, sektori që përbën edhe pjesën më të madhe të portofolit të kredisë bankare, tregtia, këtë vit po shënon një rritje modeste të kreditimit, me 1.9% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Marrë nga Monitor.al

Sondazh

Poll