Politike

Nga Presidenti te Drejtori i Policisë, kush nuk e njeh Berishën për Kryetar të PD-së

Fotoja e Berishës së mavijosur dhe momentet e sulmit së Gert Shehut bënë xhiron e rrjetit e rrjeti vërshoi me reagime, politika mbi të gjitha. E para ishte ambasada amerikane në Shqipëri që e cilësoi aktin skandaloz, nuk munguan as “armiqtë” e Berishës brenda Partisë Demokratike, si: Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj, e të tjera figura.

6 Dhjetor 2022, 20:30 Nga f.g
Nga Presidenti te Drejtori i Policisë, kush nuk e njeh Berishën
Sali Berisha

TIRANË- Sulmi ndaj Sali Berishës sot u krye në kryefjalë të ditës duke marrë edhe vëmendjen nga Samiti që po zhvillohej pak metra më tutje mes liderëve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Fotoja e Berishës së mavijosur dhe momentet e sulmit së Gert Shehut bënë xhiron e rrjetit e rrjeti vërshoi me reagime, e politika mbi të gjitha. E para ishte ambasada amerikane në Shqipëri që e cilësoi aktin skandaloz, nuk munguan as “armiqtë” e Berishës brenda Partisë Demokratike, si: Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj, e të tjera figura.

Madje mes gjithë gjurulldisë së Samitit nuk mungoi as reagimi i kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë. Të shpërndarë, asnjë në protestë, por të gjithë e kishin një koment për të dhënë me një të përbashkët. Asnjë nuk e cilësoi si kryetarin e opozitës. Herë i referoheshin si deputeti Sali Berisha, herë si zoti Sali Berisha, herë si deputeti i Kuvendit apo dhe si ish-kryeministri. Kreu i PD, asnjë! Dosja.al ka ndjekur sot të gjitha reagimet një pas një dhe ka listuar të gjitha reagimet ku vihet në pah mungesa e një posti.

AMBASADA AMERIKANE: U skandalizuam nga sulmi fizik sot ndaj një anëtari të parlamentit dhe presim që autoritetet ta hetojnë plotësisht incidentin. Askush nuk duhet sulmuar sepse ushtron lirinë e fjalës në përputhje me ligjin.

EDI RAMA DHE QEVERIA:

Edi Rama: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dënon pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm e të patolerueshëm të dhunës mbi organizatorin dhe udhëheqësin e protestës së sotme! Dhuna s’ka qenë, s’është e s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje apo shqetësimi dhe kushdo e përdor këtë mjet duhet të përballet me të gjithë forcën e ligjit.

Belinda Balluku: Nuk e kam informacionin, kam qenë në një konferencë. Aktet e dhunës nuk janë të mira që të ndodhin. Shpresoj që zoti Berisha të jetë mirë me shëndet dhe mos ketë impaktuar protestën e opozitës. Kjo është një ditë e shënuar për Shqipërinë dhe nuk mund të marrë hije nga asnjë lloj ngjarje tjetër. Ky samit e ka ngritur Shqipërinë në një nivel tjetër

Presidenti Bajram Begaj: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dënon ashpër sulmin fizik të ndodhur gjatë protestës së sotme të opozitës ndaj z. Sali Berisha, Deputet i Kuvendit, ish-President dhe ish-Kryeministër i Republikës. Presidenti Begaj i konsideron këto akte të papranueshme dhe që bien ndesh me parimet e demokracisë dhe zhvillimin e protestave paqësore. Kreu i Shtetit inkurajon autoritetet të hetojnë këtë rast dhune dhe të zbardhin sa më shpejt dinamikat e ngjarjes. Liria e fjalës dhe tubimeve paqësore janë e drejtë kushtetuese dhe si të tilla duhet të garantohen dhe mbrohen.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla: Dhuna është e papranueshme në një shoqëri demokratike. Ushtruesit e dhunës duhet të marrin dënimin e merituar nga ligji. Prandaj inkurajoj organet ligjzbatuese dhe të drejtësisë të veprojnë pa hezitim dhe të zbatojnë ligjin ndaj dhunuesit të deputetit!

MUHAMET TRUMBULLAKU/POLICIA E SHTETIT: Në lidhje me incidentin e ndodhur ndaj deputetit Sali Berisha, sigurisht incident i paprecedent dhe plotësisht i dënueshëm, Policia e Shtetit sapo u njoh me ngjarjen e shëmtuar, reagoi menjëherë duke ndaluar agresorin. Edhe aktualisht po vazhdojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të përcaktuar dinamikën e zhvillimit të kësaj ngjarjeje dhe motivet e saj. Në lidhje me deklaratat e deputetit Berisha në konferencën për shtyp, gjatë së cilës pohoi se 31-vjeçari, Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale, dhe se është përdorur për të kryer akt dhune ndaj tij, sqarojmë opinionin publik se: Shtetasi Gert Shkëlqim Shehu, i vitlindjes 1991, nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është agjent i Policisë Kriminale nga asnjë strukture e Policisë së Shtetit. Gjithashtu ky shtetas nuk është përdorur asnjëherë nga shërbimet e Policisë së Shtetit si i infiltruar apo si burim informacioni.

REAGIMET NGA PD:

Bardhi: Skenarët me dhunë ndaj kundërshtarit politik janë tipike të një regjimi të korruptuar dhe të kriminalizuar. Akt burracak i Edi Ramës, që nuk tremb dot askënd. Duke dënuar me forcë sulmin fizik ndaj z. Berisha, bëj thirrje që autorët e vërtetë të vihen menjeherë përpara ligjit.

Basha: Dënoj ashpërsisht sulmin fizik ndaj z. Berisha. Kjo ngjarje duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht. Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Ajo është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci funksionale dhe me korrupsion të pandëshkuar.

Alibeaj: Dënoj me forcë aktin e sotëm të dhunës ndaj Sali Berishës. Sulmi ndaj çdo politikani, e ndaj çdo individi, është një akt i dënueshëm dhe i pavend në një shtet funksional demokratik. Incidenti i sotëm duhet të zbardhet urgjentisht nga organet përgjegjëse ndërsa kultura e dhunës duhet përjashtuar njëherë e përgjithmonë nga zhvillimet e politikës në Shqipëri.

Jorida Tabaku: Gjuha e dhunës, urrejtjes nuk duhet të kete vend më politikë! Goditja ndaj Sali Berishës është një akt i shëmtuar dhe i papranueshëm! Ne mund të kemi mendime te ndryshme, mund të veprojmë ndryshe në politikë por dhuna është e patolerueshme. Shprehjet e dhunës fizike dhe verbale, nuk duhet të kenë vend në shoqërinë tonë! Politika duhet të largohet nga kultura e dhunës, goditjes së kundërshtarit dhe t’i hapë rrugë argumentit, debatit mbi idetë dhe bindjet. Sa të kem mundësi e fuqi do të promovoj këte model ne poltike.

dhunohet berisha ne proteste

Sondazh

Poll