Aktualitet

Porositësi i 137 kg kokainë, GJKKO lë në burg Gentian Malindin, avokati: Është hakmarrje e Ramës

Avokati, njëkohësisht dhe i ati, Ilir Malindi deklaroi para mediave se kjo është një hakmarrje e kryeministrit Edi Rama.

29 Tetor 2022, 10:41 Nga A.B
Porositësi i 137 kg kokainë, GJKKO lë në burg Gentian
Gentian Malindi

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur të lërë në burg Gentian Malindin, i cili u arrestua 2 ditë më parë. Ai kërkohej që prej vitit 2019 pasi dyshohet se është porositësi i 137 kg kokainë në 2019. Avokati, njëkohësisht dhe i ati, Ilir Malindi deklaroi para mediave se kjo është një hakmarrje e kryeministrit Edi Rama. Ai shtoi se për djalin e tij nuk ka prova e se dokumentet me të cilat u kap 2 ditë më parë, ishin të rregullta.

'I gjithë ky është skenar politik për arsye se unë e kam kritikuar kryeministrin, ai me Ardi Veliun u hakëmorr ndaj djalit tim, është një inskenim total i SPAK i cili është pjesë e Qeverisë. I vetmi vend në glob është drejtësia shqiptare që të arreston e më pas mbledh provat.Po nuk ndryshoi drejtësia nesër e keni ju fatin. Do e cojmë rastin deri në Strasburg. Dokumentat që iu gjet djalit janë të rregullta, e di më mirë Rama, ai i kishte dokumentat që kanë dalë nga Kosova. Kokainën mund ta ketë trajtuar kryeministri se në dosjen e djalit tim nuk ka. Nëse prokuroria e Greqisë e kishte kapur, procedimi fillonte atje. Edvin Kondili është për t'u arrestuar e jo djali im. '-u shpreh Ilir Mandili. 

Ndaj 46-vjeçarit rëndojnë akuzat e "Trafikimi i narkotikëve", kryer në bashkëpunim, "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal".

Dy ditë më parë u arrestua Gentian Malindi, i shpalluri në kërkim që në vitin 2019 për porositjen e 137 kilogramëve kokainë që u gjurmuan e zëvendësuan me oriz. Pas tre viteve në kërkim nga Policia e Shtetit, Malindi ka rënë në pranga e policisë në afërsi të Vorës, teksa lëvizte me mjetin e tij. Në momenti që është ndaluar nga efektivët, Malindi u është prezantuar si qytetar i Kosovës dhe u ka dhënë një mjet identifikimi me emër tjetër. Por, verifikimet e mëtejshme kanë zbuluar se bëhet fjalë për të shpallurin në kërkim.  Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari. Malindi do të hetohet për veprën penale: “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi qarkullonte me dokumente identifikimi kosovare, të falsifikuara.

Droga për të cilën akuzohet Malindi u sekuestrua në Pire dhe u zëvendësua me oriz, të cilit iu vendos gjurmues, ndërsa Policia Shqiptare u sinjalizua nga vetë DEA Amerikane për të kontrolluar konetjenerin ku ishte futur dhe për të parë se kush do të dilte për të pritur 'kokainën' në Durrës. Atë ditë, në port u paraqitën dy punonjësit e Malindit, Ardian Bega dhe Altin Myslihaka, të cilët jasnë marrë tashmë të pandehur për dosjen në fjalë, ndërsa vetë Malindi u shpall në kërkim. 

Gentian Malindi është një person me precedentë penalë. Ai ka qenë edhe më herët i arrestuar dhe proceduar për trafikim të lëndëve narkotike, më konkretisht për një sasi prej 500 kilogramë hashash.

gentian malindi ilir malindi

Sondazh

Poll