Bota

Lufta në Ukrainë/ Kryetari i Kievit i kërkon Perëndimit batanije dhe gjeneratorë: Do të vdesim nga i ftohti

Sulmet ruse në termocentralet e Ukrainës çojnë në krizë të re humanitare - Si mund të ndikojnë temperaturat e ftohta në rezultatin e luftës

29 Tetor 2022, 07:28 Nga A.B
Lufta në Ukrainë/ Kryetari i Kievit i kërkon Perëndimit
Vitai Klitschko

UKRAINË- Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, përmes gazetës britanike Telegraph i bëri thirrje Perëndimit për ndihmë ndaj vendit të tij. Ish-kampioni botëror i boksit u kërkon urgjentisht aleatëve të Ukrainës që të dërgojnë batanije dhe gjeneratorë për të mbajtur ngrohtë bashkatdhetarët e tij.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë dhe për t'i mbrojtur ata. Por ky dimër do të jetë një sfidë e madhe për ne”, tha kryebashkiaku 51-vjeçar i Kievit , duke theksuar se rritja e sulmeve ruse ndaj termocentraleve do ta sjellë Ukrainën në prag të një krize të re humanitare. 

Deri më 10 tetor, pothuajse një e treta e termocentraleve të Ukrainës u shkatërruan nga sulmet me dronë dhe raketa ruse, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në Kiev, banorët kanë marrë paralajmërime për një "kolaps të fortë" të rrjetit të furnizimit me energji elektrike në kryeqytetin ukrainas për shkak të bombardimeve ruse, ndërsa pyetja e të gjithëve është nëse sistemi do të përballojë muajt e ardhshëm me të ftohtin e fortë që pritet në vend. 

I njohur me pseudonimin “Dr. Iron Fist”, kryebashkiaku i Kievit tha për Telegrafin se lufta e Putinit nuk është më një luftë kundër forcave të armatosura ukrainase, por një luftë kundër qytetarëve të Ukrainës, e cila, e armatosur me të ftohtin e dimrit, synon të i shtyjnë ata në nënshtrim. 

Vitali Klitschko dhe bashkëpunëtorët e tij kanë arritur të blejnë gjeneratorë dhe deri më sot kanë organizuar 1000 pika në Kiev ku qytetarët mund të vizitojnë për t'u ngrohur. Por me afrimin e dimrit, kryebashkiaku shqetësohet se janë ditë të vështira për banorët, megjithëse organizatat bamirëse nga jashtë nuk po i ndalin ndihmat në kryeqytetin ukrainas. 

Vitali Klitschko shprehu mirënjohjen e tij për aleatët e Ukrainës në Perëndim, por u ankua se ndihmat humanitare dhe ushtarake po mbërrinin "shumë ngadalë". 

Kryetari i bashkisë së Kievit është përfshirë aktivisht në politikë që nga viti 2005 dhe ka kombinuar boksin dhe sportin. Në vitin 2011, së bashku me vëllain e tij Vladimir, gjithashtu boksier, ata fituan rekordin Guinness si vëllezërit me më shumë fitore në luftimet e peshave të rënda. Vitali Klitschko është kryetar i bashkisë së Kievit që nga qershori i vitit 2014.

lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll