Bota

Pas SHBA reagon dhe BE: Nuk duam përshkallëzim të situatës për targat, Kosova dhe Serbia të përmbahen

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thotë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga hapat përshkallëzues dhe shtoi se parandalimi i përshkallëzimit mes dy vendeve mund të arrihet vetëm përmes dialogut.

26 Tetor 2022, 20:34 Nga d.a.
Pas SHBA reagon dhe BE: Nuk duam përshkallëzim të situatës
Stano

BRUKSEL- Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare nuk duan përshkallëzim të situatës teksa po afrohet 31 tetori që është edhe afati i fundit për ndërrimin e targave me inicialet e qyteteve të Kosovës nga periudha e para luftës, me ato RKS.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Klankosova.tv thotë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga hapat përshkallëzues.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj anëtare presin që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga hapat e njëanshëm, përshkallëzues dhe të përqendrojnë të gjithë energjinë dhe përpjekjet në arritjen e përparimit në dialog për ta çuar atë përpara drejt qëllimit përfundimtar të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Stano, mes tjerash, tha se parandalimi i përshkallëzimit mes dy vendeve mund të arrihet vetëm përmes dialogut dhe një marrëveshje dypalëshe.

“Progresi në dialog është mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzimin që dëmton vetëm njerëzit në të dyja anët”, theksoi Stano.

Thirrja e Stanos vjen pas mesazhit të dërguarit special të SHBA pvr dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar i cili ditën e sotme kërkoi sërish shtyrjen e afatit të regjistrimit të targave. 

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme, pas përfundimit të Samitit për Ballkanin Perëndimor në Prishtinë, ishte i prerë se vendimi për riregjistrimin e të gjitha veturave me targa RKS nuk shtyhet më pasi i njëjti vendim u shty një herë në fund të shtatorit.

peter stano reciprociteti i targave dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll