Bota

Biden: E kam të vështirë të pranoj se po shkoj 80 vjeç, por unë s'e kam ndalur ritmin, më gjykoni nga ajo që bëj

Ai tha se njerëzit duhet të gjykojnë vetë nëse ai është në lartësinë e detyrës. Komentet vijnë ndërsa sondazhet tregojnë se një pjesë e madhe e votuesve nuk do të donin të shihnin sërish një garë mes tij dhe republikanit Donald Trump, ndaj të cilit zoti Biden fitoi më 2020-n. Në rast fitoreje, zoti Biden do të ishte 82 vjeç në ditën e inaugurimit në janar 2025 ndërsa zoti Trump 78 vjeç.

23 Tetor 2022, 23:13 Nga DOSJA
Biden: E kam të vështirë të pranoj se po shkoj 80
Joe Biden

SHBA- Presidenti Joe Biden tha me shaka se e ka të vështirë të pranojë se po i afrohet të 80-ve, por shtoi se është i aftë si fizikisht ashtu edhe mendërisht për të shërbyer për një mandat të dytë të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Biden, i cili mbush 80 vjeç më 20 nëntor, tha se është një shqetësim krejtësisht i ligjshëm ai që votuesit të pyesin nëse dikush në moshën e tij mund të përballojë punën me stres të lartë si president i vendit. Zoti Biden e bëri komentin gjatë një interviste për televizionin MSNBC që u transmetua të dielën, gjatë së cilës u pyet në lidhje me moshën e tij.

Ai tha se njerëzit duhet të gjykojnë vetë nëse ai është në lartësinë e detyrës. Komentet vijnë ndërsa sondazhet tregojnë se një pjesë e madhe e votuesve nuk do të donin të shihnin sërish një garë mes tij dhe republikanit Donald Trump, ndaj të cilit zoti Biden fitoi më 2020-n. Në rast fitoreje, zoti Biden do të ishte 82 vjeç në ditën e inaugurimit në janar 2025 ndërsa zoti Trump 78 vjeç.

Një sondazh i fundit i ‘Associated Press’ dhe Qendrës Kërkimore për Çështje Publike ‘NORC’ tregon se vetëm 3 në 10 amerikanë, duan që zoti Biden ose zoti Trump të kandidojnë për president pas dy vitesh. Vetëm 5 në 10 demokratë duan që zoti Biden të rikandidojë për një mandat të dytë, ndërsa 6 në 10 republikanë shpresojnë të shohin zotin Trump të kandidojë përsëri për postin e presidentit.

Mendoj se mënyra më e mirë për të gjykuar është të më shikosh çfarë bëj. A e kam ndalur ritmin apo vazhdoj njësoj?, tha zoti Biden në intervistën e regjistruar të premten, gjatë një vizite në kampusin e Universitetit Shtetëror të Dellauerit në mbështetje të urdhrin ekzekutiv për faljen e borxheve në kredi studentore.

Presidentin Biden ende nuk ka njoftuar zyrtarisht nëse do të kandidojë për një mandat të dytë, por ka thënë vazhdimisht se synimi i tij është të garojë për t'u rizgjedhur.

Gjatë fushatës së vitit 2020, zoti Biden shpesh paraqitej si një ‘kandidat tranzicion’, i cili do të ndërtonte një urë për të rinjtë e talentuar demokratë.

Mosha dhe shëndeti i zotit Biden si dhe zotit Trump, u trajtua gjatë garës për president, mbi fatin e së cilës vendosi një elektorat më i ri dhe më i larmishëm.

Në intervistën për MSNBC, zoti Biden tha se votuesit duhet të shohin pasionin e tij për punën ndërsa vlerësojnë çështjen e moshës së tij si faktor nëse duhet të votojnë për të ose jo.

Zoti Biden iu nënshtrua një serie analizash gjaku e ekzaminimesh fizike vitin e kaluar, pak para ditëlindjes së tij.

Dr. Kevin O'Connor, mjeku i presidentit Biden, shkruante në një dokument prej gjashtë faqesh lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, se zoti Biden ishte i shëndetshëm, energjik dhe i aftë për të realizuar me sukses detyrën e presidentit.

Marrë nga VOA

joe biden

Sondazh

Poll