Bota

Plani i ri për marrëveshje me Serbinë, Kurti kërkon takim me opozitën, kush do t’i shkojë sot në zyrë?

Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku e kanë refuzuar ftesën për takimin që do të nisë sot në orën 12.00, ndërkohë që ftesa u ishte nisur që 2 ditë më parë, menjëherë pas takimit me të dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

21 Tetor 2022, 10:44 Nga k.m.
Plani i ri për marrëveshje me Serbinë, Kurti kërkon takim me
Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj

PRISHTINË- I vetmi prej opozitarëve që do të shkojë në takimin e sotëm të thirrur nga kryeministri Albin Kurti, është kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Liderët e tjerë të partive opozitare, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku e kanë refuzuar ftesën për takimin që do të nisë sot në orën 12.00, ndërkohë që ftesa u ishte nisur që 2 ditë më parë, menjëherë pas takimit me të dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Krasniqi e ka quajtur ftesën e Kurtit si joserioze, pa përmbajtje, duke refuzuar kështu pjesëmarrjen në takim dhe ka lajmëruar se nuk do të shkojë në zyrën e tij për ta takuar për çështje teknike, por vetëm kur të flitet për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbinë. 

“Vetëm pasi kërkuam sqarime, kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze – siç është Dialogu Kosovë-Serbi. Pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë. Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye që të na ftoni në takime për çështje teknike. Ndërsa, kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinion flitet për një dokument që ju e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerët ndërkombëtar të Kosovës. Krasniqi ka thënë se për tema të tilla, vendi i diskutimit duhet të jetë salla e Kuvendit të Kosovës, e jo zyrat. Por, për tema të tilla, për vendime të mëdha, ju së pari duhet të bëheni serioz dhe ta kuptoni se vendi i diskutimit nuk është një zyrë, por është salla e Kuvendit të Kosovës, sepse Kuvendi i Kosovës është adresa e popullit. Prandaj, diskutimet që i keni menduar për të premten në zyrën tuaj, ju ftoj që t’i bartni në Kuvend,”- tha Krasniqi nëpërmjet një video selfie të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Në këtë takim s’do të shkojë as Abdixhiku. Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se për çështjen e dialogut, që u përfol se do të diskutohej të premten në takim, Kurti duhet të raportojë vetëm në Kuvend.

“Për temën e dialogut, Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak…Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme,"-deklaroi ajo.

Pas takimit, Escobar ka deklaruar se më e rëndësishme për Kosovën është anëtarësimi në NATO, si dhe njohja nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Ndërsa shtoi se njohja nga Serbia mund të vijë në një moment të dytë. Lidhur me propozimin franko-gjerman, për të cilin tha se e mbështesin plotësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa e konsideroi çështjen e Asociacionit si një element i rëndësishëm i marrëveshjes finale. E po ashtu la edhe një lajmërim, çështja e Kosovës do të zgjidhet për javë...jo për vite. 

memli krasniqi lumir abdixhiku ramush haradinaj dialogu kosove-serbi marreveshja franko-gjermane

Sondazh

Poll