Aktualitet

VIDEO-“Do vij vetë me eskavator, mezi pres Akademinë e Barinjve”/ Shëtitja e Ramës në Gjirokastër, kritikon Golemin për këmishën, qytetarja e ‘bekon’

Takimi i radhës ishte ai me fermerët në Dropull ku nuk kishte si të mungonte biseda pë rata që derdhin frutat, perimet e qumështin në rrugë. Numrave të Opozitës për zerimin e lopëve e të dhive, Rama iu përgjigj me ironi, teksa tha se qumështin në këtë vend nuk mund ta ketë bërë mushka.

19 Tetor 2022, 19:00 Nga F.M
VIDEO-“Do vij vetë me eskavator, mezi pres Akademinë e
Edi Rama, Flamur Golemi dhe qytetarja

GJIROKASTËR- Dita e dytë e fushatës elektorale të kryeministrit Edi Rama që u zhvillua në Gjirokastër është pasuar me batuta të ndryshme, takime me qytetarë dhe ironi nga vetë kreu i qeverisë. Fillimisht nisi nga momenti që promovoi Flamur Golemin dhe la të kuptohej se mund të rikandidonte për Bashkinë e Gjirokastres. Por, këmisha e Golemit i tërhoqi vëmendjen Ramës.

"Këtë këmishën e ke parë nga unë, por nuk të shkon. Ose jo, e ke lënë jashtë se të është rritur barku pak,”- i tha Rama Golemit.

Takimi i radhës ishte ai me fermerët në Dropull ku nuk kishte si të mungonte biseda pë rata që derdhin frutat, perimet e qumështin në rrugë. Numrave të Opozitës për zerimin e lopëve e të dhive, Rama iu përgjigj me ironi, teksa tha se qumështin në këtë vend nuk mund ta ketë bërë mushka.

“Prodhojmë 95-97 të produkteve të qumështit. Si mund t’i mbulojë vendi, nëse siç thuhet në TV kanë ngordhur lopët, janë arratisur gjitha dhitë, kush bën qumësht, mushka? Apo i bëjnë analistë që dalin atje e skërmiten në mënyrën më të shëmtuar duke i hedhur edhe më shumë benzinë një zjarri që është ndezuar gjetkë dhe që rrezikon të përcëllojë e djegë gjithë dynajnë,”- tha Rama.

Në komentin e tij për analistët u ndal pak më gjatë. Ai tha se mezi pret që ministrja Frida Krifca të hapë Akademinë e Barinjve që paralajmëroi muaj më parë në mënyrë që aty të fusë analistë që të mësojnë se barinjtë nuk janë për tu përqeshur. Ai tha se delet do numërohen me satelit.

“Policia shkon, nuk të lë të vendosësh hurin e stanit. Ai polici i zonës, që thotë më erdhi një ndërtues këtu dhe të “kap edhe unë pjesën time”. E para kjo duhet liberalizuar dhe do ta bëjmë se është çudi e madhe. E dyta vij te sateliti. Janë gjëra aq të thjeshta dhe aq të shpejta, kur i sheh një sy lart, që nuk e di kush është kushëri apo me partinë tjetër. Ai thotë kullota funksionon. Ai shkonte deri në 70 cm. Numëron delet. Kur i mbledh te vatha t’i numëron. Të ndihmon edhe për atë tjetrën, që nuk e bën as polici dhe as inspektori, që nuk bën punë të liga.  Mezi po pres ta bëjë kjo atë Akademinë e Barinjve të ftojmë analistë, çobenj pa dhëmbë e tru të vijnë në akademi, t’ia lëmë në dorë Dautit e këtij mikut të stanit e të kuptojnë që çobenjt s’janë për tu marrë nëpër gojë e për t’u përqeshur se jetojnë në lartësi të mëdha jo si zvarranikët e klubeve të ekraneve të natës në Tiranë,”- tha Rama.

Njëri nga fermerët i parashtroi kryeministrit dy kërkesa; një pikë grumbullimi dhe një ekskavator. Këtë të fundit, Rama tha se do t’ia çonte vetë para Vitit të Ri, ndërsa ritheksoi edhe njëherë se nuk do të kandidojë asnjë kryetar bashkie pa pastruar terrenin nga mbeturinat dhe pa pasur një pikë grumbullimi për mbeturinat në vend.

“Ja ku po e them këtu para kryetarit të bashkisë; nuk ka për të kandiduar asnjë kryetar bashkie pa hapur këtë rrugë përmes pikës së grumbullimit. Eskavatorin do ta sjell unë para Vitit të Ri, do vij vetë me ekskavator këtu. Është një histori e vjetër, s’e di si ka ndodhur. Do e sjellim patjetër, ka marrë fund kjo punë,”- u përgjigj Rama.

Shëtitja në Pazarin e Gjirokastrës u shoqërua nga përshëndetje të shumta të qytetarëve shqiptarë. Një grua e përqafoi, bekoi dhe i kërkoi të qëndronte i fortë.

“Lum nëna që të ka bërë. Edhe kështu qëndro i fortë. Të durojmë edhe pak se të mirat e Edi Ramës do vijnë, që të kënaqet i gjithë populli,”- i tha gruaja teksa përkëdhelte kryeministrin. 

edi rama zgjedhjet lokale 2023 flamur golemi

Sondazh

Poll