Politike

‘Shtëpinë e Verdhë’ në Kukës, Rama: Atje s'kishte drita, ujë dhe rrugë, si mund të hiqeshin organet?

Rama tha se këto janë të pabaza, duke thënë se ajo ishte shtëpia e një familjeje të varfër shqiptare, që nuk kishte drita, ujë e as rrugë.

12 Tetor 2022, 16:07 Nga A.B
‘Shtëpinë e Verdhë’ në Kukës, Rama: Atje
Edi Rama

STRASBURG- Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje historinë e ”Shtëpisë së verdhë”, ku në raport pretendohej se kryehej trafikimi i organeve. Nga Këshilli i Europës, Rama tha se këto janë të pabaza, duke thënë se ajo ishte shtëpia e një familjeje të varfër shqiptare, që nuk kishte drita, ujë e as rrugë, duke shtuar se vendi nuk kishte as mjetet e duhura për të kryer heqjen e organeve.

FJALA E RAMËS:

Një prej romaneve më të njohura të letërsisë shqiptare, por edhe europiane, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” nga Ismail Kadare, rrëfen një histori të një përfaqësuesi i shtetit italian që vizitonte një fshat në Shqipërinë e pasluftës në kërkim të trupave të ushtarëve italianë që pretendohej se ishin vrarë gjatë luftës së dytë botërore. Në rastin tone, realiteti tejkalon fantazinë.

Një përfaqësi e një prej institucioneve më të respektuara europiane, Këshillit të Europës, viziton vende të caktuara në fshatrat e thella shqiptare në kërkim të klinikave të specializuara ku presupozohet se ka ndodhur heqja e organeve njerëzore. Raporti përqendrohet, i vendos një theks të veçantë, e dëgjoni këtë, te një vend specifik mjekësor, një “Shtëpi e verdhë” në Shqipërinë e Veriut ku ishin përqendruar, sipas pretendimeve, operacionet. Kjo shtëpi, që nuk është aspak e verdhë, megjithatë këto janë të gjitha sajesa të kësaj fantazie, në fakt nuk është klinikë. Është një ndërtesë guri e zhveshur e një familjeje të varfër shqiptare. Çdokush prej jush mund të shkojë ta vizitojë. Në çdo kohë. Është një prej të shumtave në këto zona të thella që janë pak a shumë të njëjta. Vetë fshati që ndodhet në një zonë shumë të largët në veri të Shqipërisë që aso kohe, dëgjojeni, ishte i izoluar nga furnizimi me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm, si edhe nga rrugët e asfaltuara nuk është saktësisht vendi ideal për ndërhyrje të këtij lloj kompleksiteti e sofistikimi si heqja e organeve. Imagjinojeni. Ju kërkoj ndjesë që po ju ftoj në këtë përfytyrim të tmerrshëm. Po imagjinojeni të heqësh organe pa energji elektrike, pa ujë e pa rrugë transporti e lërë më pas, pajisjet e specializuara e kështu me radhë.

Në fakt, fshatarët u pyetën dhe u përgjigjën se kurrë, asnjëherë jo vetëm që s’kishin parë, po as nuk kishin dëgjuar të tilla gjëra. Por edhe për heshtjen e tyre, fantazitë që u paraqitën këtu përpara të gjithë Asamblesë Parlamentare morën një përgjigje. Shkruhet dhe mund ta kontrolloni se i referohen kërcënimeve, pra fshatarët ishin kërcënuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si dhe ishin gënjyer me gjëra të tilla si dhe citoj: me qasje falas në alkool, drogë e prostituta. Prostitutat silleshin nga nuk e di se ku, në atë fshat të largët për t’i heshtur këta fshatarë se për alkoolin dhe drogën është e lehtë duke qenë se ka një supozim në të gjithë botën se të gjithë shqiptarët i përdorin.

edi rama rama per dick marty 12 tetor 2022

Sondazh

Poll