Bota

Sulmi seksual ndaj alpinistes Mrika Nikçi, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, deklaroi për KosovaPress se sot pritet të mbahet seanca e procedurës paraprake lidhur me shqyrtimin e kësaj kërkese në Gjykatën Themelore në Pejë.

1 Tetor 2022, 16:35 Nga I.A
Sulmi seksual ndaj alpinistes Mrika Nikçi, Prokuroria kërkon
Mrika Nikçi

KOSOVË- ​Prokuroria e Pejës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për 25-vjeçarin Flori Beqiraj, i cili dyshohet se sulmoi seksualisht alpinisten Mrika Nikçi mbrëmjen e së martës në Pejë. Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, deklaroi për KosovaPress se sot pritet të mbahet seanca e procedurës paraprake lidhur me shqyrtimin e kësaj kërkese në Gjykatën Themelore në Pejë.

Alpinistja Mrika Nikçi publikoi pasditen e së premtes një video në rrjetin social Facebook ku tha se ishte viktimë e sulmit seksual nga një person, të martën në ora 20:50 në një nga rrugët kryesore të qytetit të Pejës.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, u shpreh se në lidhje me këtë çështje janë angazhuar dy prokurorët e shtetit të cilët kanë qenë në koordinim me Policinë e Kosovës deri në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

“Pasi është raportuar ky rast me datën 27 shtator, Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht dy prokurorët e shtetit kanë qenë të angazhuar në këtë çështje penale në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe njësitë relevante, ku fillimisht është bërë identifikimi i personave përmes kamerave të sigurisë publike dhe më pas është bërë arrestimi i tij dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Gjatë ditës së sotme është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, që pritët të mbahet sot seanca e procedurës paraprake lidhur me shqyrtimin e kësaj kërkese në Gjykatën Themelore në Pejë”, tha ai.

Më tej, Nikçi tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me rastin dhe se prokurori ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari F.B. ka kryer veprën e sulmit seksual.

“Janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë që të zbulohen të gjitha rrethanat se si ka ndodhur ky rast që e ka shqetësuar gjithë publikun… Lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori i shtetit ka arsyetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale të sulmit seksual dhe ka shpjeguar arsyet të cilat duhet të qëndrojë i njëjti në masën e paraburgimit për tri veprat që mund të përsërit veprën penale, mund të ndikojë në dëshmitar por edhe mund të arratiset”, tha ai.

Mrika Nikqi, është alpiniste e re, e cila bashkë me të atin në vitin 2019 realizoi me sukses misionin e ngjitjes në shtatë majat më të larta në shtatë kontinentet e botës. Ajo është vajza më e re në botë që ka ngjitur shtatë maja ende pa i mbushur 18 vjet.

mrika nikqi flori beqiraj shkodran nikçi

Sondazh

Poll