Aktualitet

Ndanin kokainë brenda qendrës së tatuazheve tek Komuna e Parisit, në pranga dy persona

Në pranga ka përfunduar Armando Behari, administratori i qendrës së tatuazheve dhe Brunald Shakaj.

29 Shtator 2022, 16:31 Nga k.m.
Ndanin kokainë brenda qendrës së tatuazheve tek Komuna e Parisit,
Foto ilustruese

TIRANË- Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Shtetit, pasi akuzohen se shpërndanin kokainë në doza, duke u kamufluar në një qendër tatuazhesh. Në pranga ka përfunduar Armando Behari, administratori i qendrës së tatuazheve dhe Brunald Shakaj. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre janë gjetur doza të tjera kokainë gati për shitje. Ndaj të dy janë vendosur në masën e sigurisë "arrest shtëpie" dhe pritet të gjykohen për disa vepra penale. 

NJOFTIMI I POLICISË:

DVP Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar "Tattoo", nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve. Goditet 1 rast i veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, në një qendër tatuazhesh. Vihen në pranga administratori i qendrës dhe bashkëpunëtori i tij, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të marra në rrugë operative për dy shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë, në një qendër tatuazhesh në rrugën "Sulejman Delvina", kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “Tattoo", për kapjen e tyre.

Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: - A. B., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve"; - B. Sh., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit". Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. B. administronte një qendër tatuazhesh, në rrugën "Sulejman Delvina", në të cilën kryente edhe aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në bashkëpunim me shtetasin B. Sh.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në ambientet e kësaj qendre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi B. Sh. kishte shkelur masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, duke dalë jashtë banesës. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

armando behari brunald shakaj operacioni tattoo

Sondazh

Poll