Aktualitet

Shembja e Teatrit Kombëtar/ 6 anëtarë të Këshillit të Diasporës deklarohen kundër vendimit të Ramës

13 Gusht 2019, 11:01 Nga DOSJA
Shembja e Teatrit Kombëtar/ 6 anëtarë të Këshillit

Me anë të një postimi në rrjetin social, Facebook, Këshilli Koordinativ i Diasporës është shprehur kundër shembjes së Teatit Kombëtar.

Bëhet fjalë për 6 anëtarë të këshillit, përkatësisht Adriana Fishta Bejko (Kanada), Anila Hyka Smorgrav (Francë), Ardian Radovicka (Kanada), Bashkim Bekiri (Australi), Gazmend Kapllani (Greqi) dhe Sokrat Sinaj (Zvicër).

Anëtarët e KKD, nuk duan në asnjë mënyrë që t’i hapet rrugë realizimit të projektit koncesionar, në favor të kompanisë “Fusha sh.p.k”.

“Si përfaqësues të Këshillit Koordinues te Diasporës jemi të shqetësuar që shoqëria shqiptare dhe në veçanti politika po përjeton një klimë konflikti që mund të ketë pasoja të renda për të ardhmen e vendit. Duket sikur politika te ne gjeneron kriza të vazhdueshme që dëmtojnë rëndë jo vetëm ekonominë por edhe imazhin e vendit. Muajin e fundit është krijuar një tensionim fare i panevojshëm lidhur me fatin e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Prej 18 muajsh debatohet dhe protestohet vazhdimisht për këtë cështje dhe, sigurisht do te ishte e udhës që Qeveria të vleresonte këtë debat sipas praktikave demokratike me konsultime apo referendum siç ndodh në çdo vend demokratik. Kjo do të kishte evituar që situata të degradonte deri në atë pike, sa artistët dhe grupe të tjera të shoqërisë të mbrojnë Teatrin nga Policia e Shtetit.

Jemi dakort të ndërtohet një Teatër i ri në Tiranë sipas kërkesave të kohës por, kjo mund të realizohet në një zonë tjetër pa prishur godinën ekzistuese.
Qeveria dhe Bashkia e Tiranës duhet të kuptojnë që demokracia jetësohet realisht vetëm atëherë kur shumica dëgjon edhe zërin e pakicës, pa lënë pas dore edhe mendimin e Diasporës.
Për me tepër në këtë rast nuk bëhet thjesht fjalë për pakicë dhe shumicë, por për nje çështje mjaft delikate që ka të bejë me identitetin kulturor të vendit dhe në veçanti qytetit te Tiranes. Artistët, arkitektët, urbanistët, konstruktorët dhe shoqëria civile në Shqipëri dhe Diasporë, kanë të drejtë të ngrenë zërin, pasi kauza për teatrin është një test integriteti dhe respekt për secilin.
Nuk dyshojmë që Qeveria ka qëllime dhe ide të mira, por ato bëhen të realizueshme kur janë pjesë e një strategjie zhvillimi social-ekonomik që ka si bazë parimet demokratike të transparencës, gjithëpërfshirjes së grupeve të interesit, zhvillimit harmonik të zonave të ndryshme urbanistike dhe me kryesorja, forcimin e unitetit kombëtar aq shumë të munguar këto kohët e fundit.
Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë ti kthehemi mençurisë së Sokratit, sipas të cilit, “sekreti i ndryshimit është të fokusojmë të gjithë energjinë tonë, jo për të prishur të vjetrën por për të ndërtuar të renë”.

Interesi i vetëm i Diasporës është dhe do të jetë respekti reciprok, progresi ekonomik dhe demokracia e vendit tonë duke ruajtjur trashegiminë historike dhe kulturore që ne po e promovojmë me sukses nepër botë.

Diaspora nuk mund te qendroje kurrsesi indiferente dhe mospërfillese ndaj zhvillimeve negative në vend dhe është e gateshme të kontribuojë me ide dhe projekte konkrete. Ne e ndjejmë detyrim patriotik dhe moral të ndihmojmë dhe ngremë zërin vetëm në shërbim të Kombit dhe jo të partive.

Të dashur bashkeadhetarë, ju bëjmë thirrje nga larg për mirekuptim dhe jo konfrontime. Mos harroni se kemi më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë.

Artistët e mëdhenj që na argëtuan dhe edukuan nga skena e atij Teatri, nuk do të dëshironin të përҫahemi për godinën, por të bashkohemi për mbrojtjen e identitetit tone dhe që Teatri i ri të sjellë art cilësor dhe dashuri duke ruajtur në gjirin e vet thesarin e Teatrit Kombëtar.

Ftojmë anëtarët e tjerë të KKD, Ambasadorët e Kombit, dhe të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe nëpër botë që të mbështesin këtë deklaratë!”

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet diaspora dosja.al teatri kombetar diaspora dosja.al teatri kombetar

Sondazh

Poll